5 Janar, 2022 - 8:00 pm
Në Zyrën e Kryeministrit Kurti sot ka shkuar Lea Ypin, profesoreshë e Teorisë Politike, e cila ngjalli shumë reagime pas botimit të librit të saj për vitet e fundit të komunizmit.
Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se sot ai e ka pritur në takim ligjëruesen e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics”, Lea Ypi.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti dhe Ypi diskutuan mbi situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, sfidat dhe përvojat e qeverisjes.
Ypi, që njihet për bindjet e saj të majta, është pajtuar se “orientimi progresist në të dy shtetet duhet shprehur në reformë të thellë sociale dhe administratë publike cilësore”, thotë komunikata e lëshuar nga ZKM-ja.
Biseda e Kurtit dhe ligjëruesja së Teorisë Politike nuk është ndalur veç në politiken shqiptare. ZKM-ja njofton se Kryeministri dhe Lea Ypi folën për zhvillimet aktuale politike në Britani të Madhe, BE dhe më gjerë.
Lea Ypi ka ardhur në Prishtinë për të promovuar librin “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 15 gjuhë.
Kryeministri Kurti e përgëzoi Ypin për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit dhe i dëshiroi suksese të mëtejshme.
Libri “Të lirë” trajton periudhën e viteve ‘80, para rënies së komunizmit në Shqipëri, të shikuar nga sytë e një fëmije. Autorja ka lindur në dekadën e fundit të komunizmit. / KultPlus.com