Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911

24 Mars, 2021 - 9:28 pm

Sot rikujtojmë Kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, e cila ishte njëra ndër kryengritjet shqiptare në Perandorinë Osmane në rajonin e Malësisë, shkruan KultPlus.

Kjo kryengritje zgjati nga 24 mars deri më 4 gusht si pasojë e reformave centralizuese osmane, me ç’rast detyroi malësorët të reagojnë dhe të ngritnin ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar, fillimisht duke sygjeruar një marrëveshje por pastaj situata eskaloi me ardhjen e 12 batalioneve të drejtuara nga Shefqet Turgut Pasha me 24 korrik në Shkodër. Ardhja e tyre bëri që malësorët të strehoheshin në Mal të Zi.

Siç dihet trevat shqiptare gjithmonë kanë qenë të ndara prandaj epopeja e luftërave heroike në Malësinë e Shqipërisë vlerësohet si thesari më i çmuar i malësorëve dhe mbijetesës së tyre. Në këto rrethana, komitetet e fshehta filluan përgatitjen e një kryengritje të re, e cila do të fillonte në muajin maj të vitit 1911, mirëpo mbreti Nikolla i Malit të Zi synonte të realizonte planet e tij pushtuese ndaj Shqipërisë së Veriut.

Prandaj kryengritja shpërtheu para kohës së parashikuar, më 24 mars 1911. Malësorët nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, pasuan disa luftime të përgjakshme dhe çliruan Tuzin duke ngritur flamurin shqiptar. Por ky shpërthim i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Madhe e çrregulloi planin për një kryengritje të përgjithshme pasi që krahinat e tjera të Shqipërisë nuk ishin në dijeni. Krerët e kryengritjes u mblodhën në një kuvend në Pllajën e Gërçës, në Malësinë e Madhe dhe nënshkruan një Memorandum me 12 kërkesa, i cili iu paraqit Portës së Lartë. Kërkesat e Memorandumit të Gërçës ishin njohja e kombit shqiptar dhe shënoi bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe, me shpresë se realizimi i këtyre kërkesave do të krijonte provincat autonome shqiptare.

Gjithsesi, luftëtarët e lirisë janë gurët e themelit të shqiptareve dhe ka shekuj që ata janë munduar ta ndërtojnë e bashkojnë ‘Shqipërinë Etnike’./ KultPlus.com

Të ngjajshme