5 Qershor, 2024 - 6:27 pm
Në shënim të “Ditës Botërore të Mjedisit” aktivitetet dhe projektet nuk munguan në qytetin e Prishtinës.
Organizata “YARL” në bashkëpunim me Drejtorinë e Parqeve dhe Hapësirave Publike nga komuna e Prishtinës, kanë organizuar mbjelljen e luleve, perimeve, pemëve në disa lagje specifike në kryeqytet.
Bashkëpunimet e aktivistëve në lagjen ‘Ulpiana’, rreth orës 14:00, kishin nisur punimet e procesit të mbjelljes.
Donika Çetta, drejtoresha e menaxhimit të hapësirave publike dhe parqeve në Prishtina, thotë për RTK-në se aktivitetet e tilla janë të nevojshme për qytetarët e vendit, ku qëllimi i tyre qëndron tek ruajta e ambientit dhe rigjenerimi i hapësirave të degraduara.
“Ky projekt në të cilin jemi sot duke implementuar është që nga viti i kaluar, ku është gjithëpërfshirje e komunitetit në lagjen ‘Ulpiana’ dhe si kërkesë e tyre ka qenë krijimi i kopshteve urbane, të mblidhen dhe të kontribuojnë qytetarët”, tha Çetta.
Gjithashtu, lidhur me çështjen e përzgjedhjes së pemëve dhe luleve, Çetta tha se të gjitha i kanë zgjedhur qytetarët.
“Sot, ne vetëm po e bëjmë së bashku me komunitetin mbjelljen dhe mbushjen këtyre kopshteve urbane”, shtoi Qeta.
Kosovare Sadiku, drejtoresha e organizatës ‘YARL’, lidhur me këtë projekt tha se rëndësia e këtij aktiviteti është që të ketë mobilizim të komunitetit, jetëgjatësi të fermave urbane, duke i rifreskuar me erëza të ndryshme të cilat kanë rëndësi për shëndetin.
“Në këto ferma urbane ka llojllojshmëri të mbjelljes, prej luleve deri te erëzat që i vendosim në tryezat tona çdo ditë”, tha Sadiku.
Ndërsa, pjesë e këtij projekti ishte edhe Florent Salihu, aktivistë me aftësi të veçanta, i cili bëri mbjelljen e luleve.
“Unë jam ndjerë shumë mirë, kur e kam bërë mbjelljen e luleve. Mendoj, se ky aktivitet është shumë i mirë për ne dhe kushtet janë shumë të drejta dhe i plotësojnë kriteret”, tha Salihu.
Aktivisti 18 vjeçar shprehu një dëshirë të tij që e konsideron hobi. “Mua më kanë pëlqyer gjithmonë lulet, i kam si hobi”, shtoi Salihu.