10 Janar, 2024 - 5:00 pm
Organikat, strukturat dhe përbërja e instituteve të albanologjisë, njësi të reja kërkimore-shkencore pranë Akademisë së Shkencave u diskutuan në mbledhjen që u zhvillua së fundmi nga kryesia e ASH.
Të pranishëm ishin anëtarët dhe drejtuesit e grupeve të punës të ngritur nga kryesia për konfirmimin në detyrat që kryejnë të punonjësve kërkimorë-shkencorë. Stabilizimi afatgjatë i strukturave të instituteve do të këshillohet, siç parashikohet në statutin e ASHSH, përgjatë periudhës janar-tetor 2024, me drejtuesit dhe këshillat shkencor të tyre dhe me anëtarët e asamblesë. Akad. Skënder Gjinushi falënderoi grupet e punës për vlerësimin e kujdesshëm dhe objektiv të punonjësve kërkimorë-shkencorë të instituteve të albanologjisë, që do të vazhdojnë normalisht punën në fushat e tyre të kërkimit.
Sipas ASH, me miratimin e organikave dhe të strukturave të tyre, vijuar me emërimet në detyrë, që do të bëhen brenda javës, do të mbyllet faza e parë e integrimit, por periudha kalimtare do të vazhdojë edhe gati një vit, në mënyrë që efektshmëria e punës vetjake dhe institucionale të jetë sa më e lartë.
Akad. Gjinushi theksoi se me ribashkimin e instituteve të albanologjisë vetë institutet rifituan status të ligjshëm e funksional dhe akademisë iu rikthye një e drejtë e përgjegjësi që lidhet me aktin e themelimit të saj, për të kryer para së gjithash misionin e një kryeqendre të albanologjisë jo vetëm brenda vendit. Në vijim ai theksoi që ka çështje të cilat mund të zgjidhen menjëherë dhe të tjera që kanë të bëjnë me ndryshime më thelbësore, që sigurojnë fuqizimin e kërkimeve në disiplinat e albanologjisë dhe që lidhen me strategjinë e vetë akademisë.
Gjithashtu akad. Gjinushi paraqiti në këtë mbledhje projektvendimet për strukturat, organikat dhe përbërjen nominale të trupave akademike dhe tekniko-shkencore e ndihmëse të njësive të reja albanologjike dhe ftoi të pranishmit për diskutim./KultPlus.com