6 Qershor, 2024 - 12:42 pm
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për vdekjen e artistit, Rexhep Ferri, duke iu shprehur ngushëllime familjarëve.
Përmes rrjeteve sociale, ai ka thënë se veprimtaria e tij e vendosi atë në mauzoleun e të pavdekshmëve.
“Sot me pikëllim të thellë e mora lajmin se ka ndërruar jetë piktori, profesori e akademiku Rexhep Ferri. Ai do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij që i pati përgjatë një jete të mbushur me krijimtari dhe punë, por do t’u mungojë të gjithëve, sepse vepra e tij që la pas është një thesar i jashtëzakonshëm”, shkroi kryeparlamentari në Facebook.
Tutje, ai shtoi se është nder që një prej pikturave të Ferrit gjendet në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe se veprat e tij i mbajnë me krenari.
“Veprimtaria e tij dhe kontributi si profesor dhe krijimtaria e tij e pamatshme si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit tonë, e vendosin atë pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve. Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese”, ka shkruar ai./KultPlus.com