15 Janar, 2025 - 11:30 am
Sot, 15 janar 2025, janë bërë 26 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Kryetari Përparim Rama me këtë rast ka thënë se përulet para martirëve të Reçakut duke shpreh mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Reçaku është plaga dhe dhimbja jonë!
15 janari i 1999-tës, mbetet në kujtesën tonë kombëtare, si një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë. Në atë mëngjes të acartë, 45 shqiptarë të pafajshëm u vranë barbarisht në fshatin Reçak, duke lënë pas skena që tronditën jo vetëm Kosovën, por mbarë botën.
Ishte një akt çnjerëzor që synonte të shuante rezistencën dhe idealin tonë, por që në vend të kësaj u bë thirrje e fuqishme për drejtësi dhe liri.
Ambasadori William Walker që vizitoi Reçakun, pa me sytë e tij mizorinë dhe guxoi të thotë të vërtetën para gjithë botës!
Deklarata e tij e fuqishme se ajo që ndodhi në Reçak është krim kundër njerëzimit bëri jehonë në arenën ndërkombëtare.
Ai u bë zëri ynë dhe mik i paharrueshëm i popullit të Kosovës!
Sot, përulemi para martirëve të Reçakut dhe shprehim mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë. Lavdi viktimave të Reçakut dhe falënderim i përjetshëm për ata që na ndihmuan në rrugën drejtë lirisë!
Reçaku mbetet jo vetëm një plagë e dhimbshme, por edhe një shembull i unitetit dhe humanizmit që triumfon mbi barbarinë./ KultPlus.com