Kryhet edhe një procedurë, LIBE voton pro heqjes së vizave për Kosovën

23 Mars, 2023 - 12:50 pm

Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pro saj votuan 47 eurodeputetë dhe 8 kundër, raporton Gazeta Express.

LIBE kishte votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën edhe më 12 janar të këtij viti.

“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, kishte thënë ai.

Për liberalizimin e vizave do të votojë edhe Parlamenti Europian. Sipas një draft agjende votimi në PE do të ndodhë më 18 prill.

Sipas vendimit të institucioneve të BE-së, heqja e vizave për Kosovën do të zbatohej që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti. Mirëpo ky shans është humbur meqë funksionalizimi i ETIAS është shtyrë për 2024-ën. Sidoqoftë, kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari 2024.

Miratimin e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje e pati konsideruar vendim të rëndësishëm eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që u caktua edhe raportues për vizat.

“Hapi tjetër do të jetë miratimi në Parlamentin Europian që pritet të ndodhë në prill. Nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024. Kjo nënkupton që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”, kishte thënë ai për Express.

Pas hedhjes në votim edhe në PE, hapat e mbetur për këtë proces janë:

Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare

Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar. / KultPlus.com

Të ngjajshme