1 Shkurt, 2024 - 9:32 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) bën të ditur se janë kthyer mbi 8 mijë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kreu i DPA-së, Ardit Bido theksoi se kjo tërësi dokumentesh e marrë nga arkivat amerikane, së bashku me dy kolana gazetash, përfshirë “Albania”-n e themeluar nga “enciklopedia shëtitëse”, Faik Konica, kalojnë prej ditës së sotme nën zotërimin e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej studiuesit Artan Hoxha.
“Sikurse ka dëshmuar edhe precedenca e akteve të dhurimit, materialet dokumentare dhe fotografike të marra në dorëzim prej DPA-së, kanë shërbyer për pasurimin e fondeve, duke ofruar edhe shtysa për nisjen e hulumtimeve të reja. Kujtojmë dhurimin e arkivit vetjak të ngjeshur të poetit Lasgush Poradeci (2017) dhe të veprimtarit politik Reuf Fico (2018)”, u shpreh ai.
Po ashtu, Bido informoi se në AQSH strehohen edhe dorëshkrime të shumta të Musine Kokalarit, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë” (deklaratë e bërë prej familjares së saj, Bibika Kokalari)./KultPlus.com