26 Maj, 2020 - 1:30 pm
Shpresa Loshajn aktivste dhe përkrahëse e komunitetit shqiptar në Kanada, kohët e fundit është kthyer në Kosovë.
Në një bisedë të shkurtër për gazetën “Diaspora Shqiptare” ajo tregon se “Para një kohe mbështetur edhe nga një grup ambientalistësh kam themeluar organizatën joqeveritare “Pishtarët” me qëllim të mbrojtjes së ambientit dhe kulturës. Puna ime ka filluar në komunën e Deçanit’’, prej nga ajo vjen.
Ka disa vite që në qytetin ku ajo ka lindur, Deçan, janë ndërtuar disa hidrocentrale jolegjitime që prodhojnë rrymë dhe dëmtojë ambientin, pikërisht në bjeshkët ku është rritur ajo. Nostalgjia për fëmijërinë dhe rininë e hershme në ato bjeshkë, si dhe neglizhimi i institucioneve të Kosovës ndaj shkatërrimit të Lumbardhit të Deçanit, është një ndër arsyet që e kanë shtyrë atë për ta marrë iniciativën që të kthehet në Kosovë dhe të themelojë organizatën joqeveritare “Pishtarët”.
Përmes organizatës së saj ajo i drejtohet pikërisht qeverisë, duke i shkruar dhe komunikuar drejtëpërdrejt edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani. Ajo në letrat që ua ka drejtuar të lartëpërmendurve kërkon llogari për premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore: “Që të kthehesha nga Kanadaja, dhe të fokusohem në këtë çështje jam frymëzuar edhe nga premtimet që ju dhatë perosnalisht dhe në emër të partive që përfaqesonit në debatet për zgjedhjet e kaluara si psh në Jeta në Kosovë në shtator të vitit të kaluar. Siç ju kujtohet, pyetja ime për të gjithë kandidatët për kryeministër/e, gjithashtu edhe per ju, ka qenë se a do t’ia ndalin punën e hirocentraleve në Deçan që po prodhojnë rrymë illegalisht dhe pa licencë. Të dytë më keni dhënë përgjigje shumë të qartë dhe bindëse se “PO”, do t’i ndalni hidrocentralet që prodhojnë rrymë pa licencë. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit u bë e ditur se partitë tuaja, Lëvizja Vetëvendosje! Dhe Lidhja Demokratike e Kosovëa do të formojnë qeverinë e re. Ky fakt, dhe premtimet e tuaja, e bënë të ditur që edhe per kompanine që po shkel ligjet e Kosovës, ishin ditët e numëruara, por ajo nuk po shihet të ndodh ende”, përfundon letrën e saj.
Shpresa Loshaj është diplomuar për Studimet Ndërkombëtare në Simon Fraser University në Vancouver, dhe ka vazhduar për Master of Arts në për Politikën Publike dhe Administrimin në Carleton University në Ottawa. Aty edhe është punësuar nga qeveria federale kanadeze në Ministrinë e Shëndetësisë. Më vonë ka kaluar në Ministrinë e Inovacionit dhe Zhvillimit Ekononik si këshilltare e politikave të pronësisë intelektuale, punë të cilën e ka ndërprerë për shkak të kthimit të saj në Kosovë.
E pyetur se sa ka ndikuar puna dhe angazhimi në Kanada për shoqatën në mbrojtje të bjeshkës, buzë së cilës ajo është rritur, ajo thekson: “Unë jam rritë në Bjeshkët e Deçanit, dhe mbrojtja e natyrës ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Si fëmijë e mbaj mend nënën kur shprehte brengosje kur dëgjonte që është prerë ndonjë lis. Që nga atëherë e kam kuptuar që nuk duhet të dëmtohet natyra, dhe mund të them se vetëdijësimin për mbrojte të ambienit e kam prej nënës. Dihet se jeta në Kanada ma ka ngritur nivelin e vetëdijes se ne jo vetëm që nuk duhet të dëmtojme natyrën, por edhe duhet ta mbrojmë nga të tjerët. Më kujtohen protestat kur British Columbia donte të ndërtonte një autostradë e quajtur “Sea to sky” nga Vancouveri në Whistler. Aty kam parë njerëz të shtrirë në tokë para mjeteve punuese sepse nuk donin t’i lejonin që rruga të kalonte përmes një pjese të rëndësishme ekologjike. Në atë kohë më është fiksuar se si ata njerëz ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për ta mbrojtur tokën dhe vendin e tyre, në një vend paqësor siç është Kanadaja. E kam kuptuar se sfidat për ta mbrojtur vendin nuk mbarojnë në luftë. Dhe mbrojtja e vendit nuk duhet ndalet kurrë, sepse interesat që e dëmtojnë vendin jane gjithmonë në lëvizje”.
“Shkollimi dhe përvojat profesionale më kanë përgatitur se si t’i qasem problemit, ku të kërkojmë zgjidhje dhe llogaridhënie. Pra, pasioni për drejtësi sociale bashkë me përvojën profesionale më kanë përgatitur që të ballafaqohem me problemet që po kalon Deçani me hidrocentralet e jashtëligjshme. Edhe pse puna e hidrocentraleve në Deçan është një lëmsh pa fund, ku thonë që ka interesa të shumta që nuk do të lejojnë zbardhjen e këtyre problemeve, unë shpresoj se do të kemi sukses dhe të gjejmë zgjidhje sepse kemi sjellë një energji të re, e të organizuar që nuk jemi vetëm duke e ngritur zërin për shkatërrimet e natyrës, por jemi duke i identifikuar si erdhën problemet dhe duke kërkuar adresim dhe llogaridhënie nga qeveria dhe akterët tjerë përgjegjës. Edhe pse zbatimi i ligjit në Bjeshkët e Deçanit varet shumë edhe nga vullneti i mirë politik, e që deri më tani nuk është ushtruar konkretisht dhe në mënyrë konsistente, ne nuk do të heqim dorë duke kërkuar drejtësi sepse për mua, shkelja ligjore në Lumbardhin e Deçanit është e njëjtë sikur të shkelësh mbi sakrificat tona për një ditë që Kosova të ketë ligjet e veta”.
Që Kosova ka nevojë për një energji të re që mbron ambientin dhe vendin e vet me pasion dhe pa frikë është dëshmuar shumë shpejtë sepse vetëm në ditët e para të themelimit të shoqatës kanë marrë disa kërkesa nga qytetarët nga anë të ndryshme të Kosovës që të ndihmojnë të adresojnë edhe problemet në vendet nga ata vijnë. “Fatkeqësisht, në Kosovë ka aktivistë që janë zhgënjyer sepse me vite të tëra nuk kanë parë ndryshim, gjithashtu, në një vend aq të politizuar siç është bërë Kosova, nuk është e lehtë të mbrosh parimet tua, sepse shumëçka varet nga politika. E për këtë e rëndësishme të ketë bashkëpunim në mes të eskpertëve dhe aktiviteteve të disasporës dhe ata lokal”.
Si vendosi Shpresa të kthehej në Kosovë? “Se a do të kthehesha në Kosovë gjithmonë ka qenë e ditur, por nuk e kam ditur kur do të kem mundësinë e parë. Unë ndihem e integruar dhe pjesë e shoqërisë kanadeze, dhe në të njejtën kohë, si unë nuk dua që vetëm të ndihem kosovare në zemër, dua edhe ta jetoj në të mirën e Kosovës. Unë isha 19 vjeçe kur u largova nga Kosova, dhe tani së fundi fillova të mendoj: gjysma jetës në Kosovë, gjysma në Kanada, fillova të mendoja çdo të thotë për lidhjen time me Kosovën, dhe të marrë me seriozisht se si mund të kontribuojë në Kosovë më shumë. Më parë pata filluar të bashkëpunoja me Rrjetin e Diasporës “Germin” në Prishtinë që bën lidhjen në mes të profesionistëve të diasporës me vendlindjen, ndërsa profesionalizmi i tyre më shtyu të vazhdoja të marrë pjesë në projekte të ndryshme dhe e pashë që ndjenja e identitetit tim kosovar po merrte më shumë kuptim për mua. Përkrahje kisha edhe nga organizata gazetareske BIRN që më ndihmuan të testoja aktivizmin tim para se të kthehem për më gjatë. Duke e parë se perspektiva e diasporës po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e Kosovës, dhe fakti se nganjëherë duhet të jesh në vendngjarje që të kesh ndikimin e duhur, në fund të vitit 2019 mora leje personale njëvjeçare nga puna dhe vendosa të kthehem në Kosovë. Ishte vendim që e mendova gjatë, por cdo ditë e më shumë ndihem më e sigurtë dhe me fat që kam rastin të jetoj në fshatin ku jam rritë dhe kontribuoj për një Kosovë që të gjithë qytetarët jetojnë me dinjitet.
Në këtë projekt Shpresa me bashkëpunëtorët e saj kanë përkrahjen e shumë shoqatave, mediave dhe “cka është më motivuese kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora që na përgëzojnë për iniciativën dhe janë të gatshëm të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojat e tyre. Kjo e siguron Kosovën se në çdo anë të botës ka pishtarë të drejtësisë që do të mbrojnë Kosovën sa herë të jetë nevoja”. Unë i inkurajoj të gjithë të interesuarit të na bashkohen në faqen tonë në Facebook “Pishtarët” që po rritet përditë. Suksesi i Shoqatës “Pishtarët” do t’i jepte kuptim të plotë kthimit të Shpresës në vendlindje. / KultPlus.com