“Kufiri i kuq mes artit shqiptar”, diskutim mbi letërsinë e ndaluar gjatë diktaturës komuniste

27 Tetor, 2024 - 11:10 pm

Në përpjekje për të hedhur dritë mbi të kaluarën e vështirë të artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë nën regjimin komunist, Fondacioni Kujto, në bashkëpunim me Social Creativity, organizuan një tryezë diskutimi në “Kult Plus Caffe Gallery”. Aktiviteti u zhvillua si pjesë e projektit “Artistët e Ndaluar në Atdheun e tyre”, një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit ‘Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor’ (C4WBs), dhe e zbatuar nga Këshilli Britanik, shkruan KultPlus.

Ky diskutim kishte për qëllim që të shënojë mundësi të rëndësishme për krijimin e urave të komunikimit ndërmjet artistëve, shkrimtarëve, studiuesve, akademikëve dhe përfaqësuesve të institucioneve publike nga Shqipëria dhe Kosova. Qëllimi ishte të nxitet bashkëpunimi kulturor ndërmjet dy vendeve dhe të ngrihet ndërgjegjësimi rreth historisë së artit dhe letërsisë shqiptare gjatë periudhës së errët të diktaturës komuniste (1945-1991), periudhë kjo e cila përfshiu një sërë persekutimesh dhe censurash ndaj artistëve dhe intelektualëve që guxonin të shprehnin mendime kritike ndaj regjimit, duke lënë pasoja të thella në kulturën dhe trashëgiminë kombëtare.

Të pranishëm në panelin e këtë panel diskutimi ishin: Blerina Gjoka nga Fondacioni Kujto, Admirina Peçi, hulumtuese dhe gazetare, Primo Shllaku, poet dhe shkrimtar, Vlora Ademi, poete dhe pjesë e Social Creativity dhe Nazmi Rrahmani, shkrimtar.

Pjesëmarëse dhe inicuese e këtij projekti, Blerina Gjoka, u shpreh se kjo iniciativë nisi për të hedhur dritë mbi një periudhë të errët të të historisë shqiptare.

“Prej gjashtë vitesh së bashku me Admirinën dhe me disa kolegë të tjerë gazetarë, jemi angazhuar te fondacioni ‘Kujto.al’, një fondacion i krijuar në nevojën e një zbrazëtie për të njohur të shkuarën, të shkuarën që për ne ka qenë shumë e hidhur, 45-vjeçare në komunizëm dhe që ja ndjejmë pasojat sot e kësaj dite sepse gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, mijëra shqiptarë u persekutuan, u burgosën politikisht dhe u pushkatuan, e sot shumë prej tyre janë akoma pa varr, duke mos pasur asnjë iniciativë shtetërore për t’i gjetur dhe për t’u vendosur një varr që familjet e tyre të kenë ku të dërgojnë lule”,u shpreh Gjoka, e cila më tutje u shpreh se ky projekt ka për qëllim që të hedhë dritë edhe mbi historikun e shkrimtarëve shqiptarë nga Kosova, shkrimet e të cilëve nuk u lejuan që të shpërndaheshin në Shqipëri.

Admirina Peçi, po ashtu pjesë e Fonadionit Kujto, thotë se përgjatë hulumtimeve të saj, hasi në shumë dwshmi ku dokumentohet se si regjimi komunist e ndalonte letërsisë që u krijua atë periudhë nga shkrimtarët shqiptarë të Kosovës.  

“Ideja e dokumentarit ka nisur herët, në kohën kur unë kam harxhuar më shumë kohë në arkivë se sa në redaksi dhe pikërisht në atë periudhë unë kam hasur në shumë doumente. Në shumë prej tyre thuhej se “Anton Pashku ishte një figurë shumë e rrezikshme për lexuesin, ai është dekadent, duhet të bërë kujdes që librat e tij të mos kalojnë kufirin”, dhe nuk ishte vetëm Anton Pashku, ishin disa autorë. Dhe po të analizoje, e gjithë krijimtaria e këtyre shkrimtarëve binte ndesh me normat e realizmit socialist”, theksoi Peçi, e cila më tutje tha se boshti i dokumentarit të tyre do të jetë pikërisht kjo pikë, ndalimi i shpërndarjes së letërsisë së shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit, përgjatë asaj periudhe.

I pranishëm në kësaj tryeze diskutimi ishte edhe shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili shpreht se zbardhja e rasteve të asaj periudhe duhet të trajtohet edhe nga institucionet.

“ Ështëme rëndësi që kjo çështje  të trajtohet edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Problemi në dukje mund edhe mos të jetë i madh, megjithatë, për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që kanë jetuar në Jugosllavi, shkëputja ose vënia e asaj ‘vije të kuqe’ midis Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë fatale. Ka qenë fatale sepse është shkëputur gjithçka, në kulturën , në traditën, në atë zhvillimin e mëparshëm dhe është dashur që t’ia fillojmë nga e para”, tha Rrahmani .

Shkrimtari Primo Shllaku tha se akoma më tragjike se sa ajo që ka ndodhur është harruar, madje edhe ata që vetë i kanë përjetuar torturat, kanë ikur pa folur.

““Problemi është se duhet parë nje kuadër, një kornizë historike e asaj që ka ndodhur. Për mua, tragjedia më e madhe që ka ndodhur dhe që e ndjejmë edhe tash është se ata që i kanë përjetuar torturat, disa kanë vdekur, disa janë gjallë, por i kanë harruar. Ajo që mua më shqetëson është se protagonistët e asaj kohe kanë vendosur të ikin pa folur. Dhe në qoftë se ka diçka  që qëndron në mënyrë konstante te  çdo lloj qytetërimi  është projekti i aktij qytetërimi, pra ne nuk dijmë se çka ju ka ndodhur njerëzve tanë, bashkëkohësisë tonë, pse bashkëkohësia jonë u deformua deri në atë masë sa neve nuk po na mjafon as koha e ashtuquajtur e tranzicionit për t’u ktyer në binarin e përbashkët”, tha Shllaku.

Ndërkaq, si një komponent thelbësor i projektit, Fondacioni Kujto dhe Social Creativity do të realizojnë një dokumentar historik, ku do të paraqiten rastet dhe veprat e artistëve kosovarë dhe shqiptarë që u përndoqën për shkak të aktivitetit të tyre krijues dhe rezistencës kulturore ndaj regjimit komunist. Ky dokumentar synon të evidentojë dhe të ruajë trashëgiminë kulturore të kësaj periudhe, duke siguruar që sakrificat dhe kontributet e artistëve të përsekutuar të mbahen mend dhe të nderohen nga brezat e ardhshëm./KultPlus.com

Të ngjajshme