23 Gusht, 2019 - 1:22 pm
Profesori universitar Ibrahim Berisha si dhe Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti sot kanë kujtuar ish-politikanin dhe gazetarin e njohur, Xhemajl Mustafën, i cili ishte vrarë pas luftës dhe që sot shënon 66-vjetorin e lindjes së tij.
Përndryshe, Mustafa ka qenë një ndër këshilltarët kryesor të presidentit Ibrahim Rugova dhe një emër eminent në fushën e gazetarisë, i njohur për virtyte të larta kombëtare dhe njerëzore brenda qarqeve intelektuale të kohës së tij, shkruan KultPlus.com
Profesori universitar dhe njëkohësisht edhe ish-bashkëpunëtori i tij, Ibrahim Berisha, shkruan për gjendjen e tij në rrethanat të jashtëzakonshme në Kosovë gjatë bombardimeve.
“Edhe në atë trazim të madh zotëronin debatet kulturore. Fare pak fliste për politikë. Ai nuk preferonte të bisedojë për politikë dhe as për njerëz të politikës. Gjatë bombardimeve dhe tmerrit në Prishtinë dhe Kosovë, unë nuk e dija se ai kishte mbetur me Besianin dhe Bahrien në Prishtinë. Lajme për të nuk kishte”, shkruan Berisha në postimin e tij në Facebook.
“Isha shumë i tronditur, por i gëzuar kur për herë të parë munda në korrik të vitit 1999 të flisja me të në telefon nga Strasburgu. Ishte po ai zë i plotë, i qetë. “Mbetem gjallë!, më tha. E mbijetoi presionin e tmerrshëm me një Lutje të Madhe për Prishtinën, për Kosovën dhe për shqiptarët fatkeqë. Lutja e tij gjithmonë ka qenë e njëjtë: paqe dhe liri”, vazhdon Berisha tutje.
Ndërsa, Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shkruar për moszbardhjen e vrasjes së tij si dhe për një takim me të.
“Një vit e gjysmë pas luftës e kanë vrarë mizorisht para banesës së tij në lagjen ‘Dardania’. Askush nuk u gjykua e dënua për këtë krim. E kam takuar disa herë në fundvitet e ’90-a. Gjithmonë i dashur dhe i qetë, përherë i kredhur në mendime dhe i prajshëm në komunikim. Burrë i mirë, siç themi ne shqiptarët”, ka shkruar Kurti në Facebook. / KultPlus.com