5 Korrik, 2022 - 9:00 pm
Kulla e famshme franceze Eiffel është e mbushur me ndryshk dhe ka nevojë për riparime të plota, por në vend të kësaj po i jepet një bojë kozmetike prej 60 milionë eurosh përpara Lojërave Olimpike 2024 në Paris, sipas raporteve konfidenciale të cituara nga revista franceze “Marianne”, njoftoi CNN.
Kulla prej hekuri, e lartë 324 metra, e ndërtuar nga Gustave Eiffel në fund të shekullit XIX, është ndër vendet turistike më të vizituara në botë, duke mirëpritur rreth gjashtë milionë vizitorë çdo vit.
Megjithatë, raportet konfidenciale nga ekspertët e cituar nga “Marianne” sugjerojnë se monumenti është në një gjendje të keqe dhe i mbushur me ndryshk.
“Është e thjeshtë, nëse Gustave Eiffel do të vizitonte vendin, ai do të pësonte një atak në zemër”, i tha revistës “Marianne” një menaxher i paidentifikuar.
Kompania që mbikëqyr kullën, “Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk mund të kontaktohej menjëherë për komente.
Kulla aktualisht po i nënshtrohet një rilyerjeje që kushton 60 milionë euro në përgatitje të Olimpiadës 2024, hera e njëzetë që ajo rilyhet.
SETE heziton të mbyllë kullën për një kohë të gjatë për shkak të të ardhurave turistike që do të humbasin. / KultPlus.com