26 Maj, 2024 - 3:36 pm
Kulla e Sahatit, pjesë e trashëgimisë kulturore është objekti që ka identifikuar Tiranën ndër vite. Bashkë me xhaminë Et’hem Beu, janë konsideruar gjithnjë si “kartolina e kryeqytetit”.
Qendra e Tiranës është në çdo moment të ditës e mbushur me turistë të huaj. Shumica e tyre nuk largohen pa vizituar kullën e sahatit, shkruan abcnews.al.
Pasi ngjitin 92 shkallët, vizitorët qëndrojnë disa minuta në lartësinë e kullës së stilit otoman, ku nuk mungojnë shkrepjet e fotografive, të qendrës së Tiranës dhe ndërtesave të periudhave të ndryshme nga ato osmane siç është xhamia, ministritë e ndërtuara gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, muzeu kombëtar dhe pallati i operas dhe baletit gjatë diktaturës komuniste.
Kulla e sahatit është një nga monumentet kulturore të kategorisë së parë më të rëndësishme të Tiranës dhe simbol i trashëgimisë së vjetër të kryeqytetit. Ajo u ndërtua në vitin 1822 me iniciativë të Haxhi Et’hem Beut nga ndërtues të Tiranës dhe zonës së Gollobordës, të shquar për mjeshtrinë e tyre në ndërtim./KultPlus.com