11 Nëntor, 2021 - 11:58 pm
Kulla Veneciane në Durrës do të kthehet në një qendër për të treguar mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, përmes teknologjisë.
Lajmin e dha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se Kulla Veneciane është një nga objektet ku do të nisë shndërrimi, si pjesë e programit EU4Culture
“Kulla Veneciane, në Durrës do të kthehet në një qendër për të treguar mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, përmes teknologjisë. Ture virtuale, aplikacione, periskopë digjitalë do të na udhëheqin në një fluturim në kohë. Kulla Veneciane është një nga objektet ku do të nisë shndërrimi, si pjesë e programit EU4Culture”, theksoi Margariti në një reagim.
Edhe projekti EU4Culture po ashtu dha detaje për projektin duke njoftuar se Torra Veneciane, në zemër të Durrësit, pas ndërhyrjeve të programit EU4Culture do të kthehet në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore e cila do të ofrojë: vizita dhe eksplorime të kullës bazuar në aplikacione, performanca dixhitale, të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse e do të shfaqen disa herë në ditë, pamje interaktive nga tarraca e çatisë nëpërmjet periskopëve dixhitalë, etj.
Bëhet e ditur se punimet do të nisin së shpejti, ndërsa projekti EU4Culture solli edhe pamje sesi do të duket Kulla Veneciane pas shndërrimit./atsh/KultPlus.com