6 Janar, 2022 - 5:33 pm
Një ndër elementet që mban të lidhur zinxhirin e prejardhjes kombëtare janë edhe kultet tradicionale shqiptare. Albanologu i shquar Robert Elsie, që u nda nga jeta pak vite më parë, ka studiuar kultet shqiptare që derivojnë nga lashtësia dhe janë të pranishme në jetesën e komuniteteve etnike shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Rezultatet e kërkimit të tij në fusha të tilla si antropologjia dhe etnografia, dëshmojnë se Shqipëria është e pasur me shumë figura kultesh, e ndaj e ka quajtur “një muze i gjallë i së kaluarës”. Sipas Elsies, parailirët dhe ilirët konsiderohen si popuj të natyrës dhe format e para të perëndive i gjetën të gatshme në natyrë.
Ata mahniteshin nga dukuritë e natyrës dhe veçoritë e objekteve të ndryshme, si: drurët, kafshët, shpendët, zvarranikët etj., të cilët i hyjnizuan dhe ky veprim hyjnizues shërbeu, si totemi a si kulte për fiset ilire në lashtësi.
Të tilla kulte janë: kulti i Diellit, i Tokës, i zjarrit, i kalit, i kaut, i ujkut, i gjarprit, i dhisë, i gurit, i shqiponjës etj. Në këtë shkrim, Elsie parafrazon edhe studiuesin e njohur abëresh të Zarës së Kroacisë Aleksandër Stipçeviç, kur bën përshkrimin e kultit të figurës së cjapit.
Kulti i Tokës
Kulti bazë i ilirëve ishte ai i tokës. Ky kult lidhej me pjellorinë e përvitshme të saj, çka i bënte banorët ta konsideronin atë mëmë të të gjithë kulteve. Ky kult vihet re edhe sot në sentencat popullore, si: “për këtë tokë”, “më zëntë sytë buka e kësaj toke”, “mos më trettë toka”, “pasha tokën epasha qiellin”, etj
Kulti i zjarrit dhe i Diellit
Tashmë edhe Prometeu e ka kryer “dënimin”, që mori prej Zeusit, për shkak se, ua dha njerëzve sekretin e zjarrit dhe kjo “ngjarje” është e fiksuar, jo më vetëm si legjendë, por edhe në shkrimet e autorëve të antikitetit, p.sh. nga Eskili te “Prometeu i lidhur”. Zjarri është konsideruar i shenjtë për vlerat e tij dhe për ndryshimet, që solli në botën njerëzore, gjatë hapave të para të saj.
Në gojëdhënat popullore flitet për vatrën, për zjarrin, madje, edhe kur duan të mallkojnë, njerëzit shprehen: “T’u shoftë zjarri!”, “T’u shoftë vatra!”, “Për këtë zjarr!”, “Për këtë zjarr e m’u shofë vatra/”, “T’u shoft kandili/”, “T’u shoftë drita/” etj., Autorët e lashtësisë njoftojnë se, për të ruajtur zjarrin në çdo shtëpi, lihej një njeri.
Shumë sinjifikativ është fakti se gjatë pushtimit osman, midis taksave të shumta kishte edhe një taksë për tymin, apo për oxhakun. Nga ky fakt mbeti e dhe shprehja, “shtëpi oxhaku”, e cila do të thoshte “derë e lartë”. “Zjarri shikohej edhe si personifikim i familjes…,” konkludon studiuesi R. Memushaj në monografinë “Historia e Kurveleshit”. Sentencat, “Ju shua kandili!”, “ Ju shua zjarri!”, “Zjarr i shuar”, “ Vatër zjarri (e ngrohtë, mikpritëse)”, “E shoi atë zjarr lumëmadhi” etj. e konfirmojnë këtë ide.
Kulti i zjarrit është i lidhur me kultin e Diellit, i cili mendohet edhe si burim i jetës, i të mirave materiale etj. Elementet e natyrës kanë qenë një burim adhurimi, por mbi të gjithë: dielli, toka dhe hëna kanë qenë adhuruar si hyjni në gjithë hapësirën pellazgjike dhe ilire (ilire, epirotase dhe dardane).
Populli ruan në kujtesën e tij disa shprehje, të cilat i përdor si urim, mallkim, betim etj., siç janë: “Për këtë dhe!\ “Për këtë qiell”, “Për këtë Diell”, “Për atë Diell”, “Për këtë Hënë”, “Për këtë vatër”, “Për këtë zjarr”, “Të thertë rrezja e Diellit”, “Për atë Diell, që vete lodhur e këputur” “Për atë symadh, që i sheh të gjitha”. “Qofsh i bardhë, si rrezja e Diellit” etj.
Këto sentenca e kanë origjinën përtej kufirit të besimit monoteist, në kohët e besimit pagan dhe janë dëshmi e autoktonisë së elementit bartës, pra të vazhdimësisë iliro-shqiptare.
Një tregues specifik i kësaj vazhdimësie është edhe riti i varrimit, i cili që nga lashtësia pellazgjike është i pandryshueshëm. Vendosja e kufomës me fytyrë nga dielli dhe me kokë nga Perëndimi, si edhe krijimi i një rrethi, që simbolizon Diellin në varrezat tumulare, janë një tjetër dëshmi e vazhdimësisë dhe tregues i kultit të Diellit. “Sipas besimit pagan, konfirmon baroni F. Nopça, shqiptarët nderonin Diellin, duke iu falur majave të malit”.
Edhe sot, në majën e Tomorrit, shpellën e Sari Salltikut në Krujë, kurorën e malit në Gribë, Selgjikja në Malin e Gjerë mbi Lazarat, në Gjakovë e gjetkë respektohen, si vende pelegrinazhi, majat e maleve. Kulti i diellit, sipas autorëve antikë: Herodotit, Strabonit, Ciceronit dhe Plutarkut, por edhe Durham, Nopça, Stipçeviç, Sbeshlaqiq, Shuteriqi, Shkupi e Tirta, dëshmojnë se Dielli ka qenë objekt i tatuazheve ndër iliro-shqiptarët.
Në historinë romake, vihet re qëndrimi i perandorit me origjinë iliriane, Kostandinit të Madh, i cili i urdhëronte ushtarët e tij të recitonin të dielën, “ditën e dritës dhe të Diellit”, një lutje Diellit, që do t’u sillte fltoren”. Ky kult pagan ka ekzistuar edhe në shekullin V të e. s. Këtë e mësojmë nga vizita e papa Leo i Madh (440-461) në trojet ilire. Kur papa vizitoi Kostandinopojën, në hyrje të kishës së Shën Pjetrit, ai vuri re disa njerëz që predikonin kultin e Diellit. Papa, me këtë rast, ua bëri një kritikë të ashpër këtyre predikuesve.
Kulti i Hënës
Krahas kultit të solarit (Diellit) ka ekzistuar edhe kulti i Hënës. Shpesh te njerëzit e moshuar dëgjohet betimi: “Për këtë Diell dhe për këtë Hënë”. Kulti i saj e ka burimin në lashtësi. Ky kult ka pasur një përhapje të gjerë në popullin tonë. Kulti vihet re në kultin e pjellorisë.Kulti i Diellit është i lidhur me kultin e tokës. Dielli dhe toka përfytyroheshin si një kult çift, ose si nënë dhe babë edhe në popujt e tjerë. Egjiptianët e mendonin tokën si një burrë të stërmadh të shtrirë me kurriz.
Me kultin e Diellit është simbolizuar edhe Krishti. Në monedhën e Vetranios (350), simboli i Krishtit shprehet “Sol Invictus”; gjithashtu Shën Pjetri në një mozaik paraqitet si një Koçi, duke u ngjitur drejt Diellit. Kulti i Diellit dhe i Hënës gjenden edhe në toponimet tona. Kështu në rrethin e Tepelenës burimet ujore cilësohen, si: “Kroi i Diellit”, “Kroi i Hënës”. Tregojnë se një njeri, duke ecur rrugës ndeshi në një çetë hajdutësh.
Pasi e grabitën, njëri prej hajdutëve, i cili u njoh nga i grabituri, e vrau me thikë kalimtarin. Kur po jepte shpirt, burri tha: “Ti, moj Hënë e plotë, më marrësh hakën dhe qofsh dëshmitare”. Pas disa kohësh, hajduti me një shok shkoi ta vidhte një varr. Pasi gërmuan varrin dhe nxorën çfarë deshën, hajduti nguli thikën në tokë për të pasur duar të të lira. Provoi të ngrihej, por s’mundi? Pa hënën, ajo ishte e plotë.
Atëherë mendoi se Hëna po merrte hak. I vdekuri, me duar të padukshme e kishte kapur hajdutin. I traumatizuar vdiq, ndërsa shoku që besoi se hëna, si dëshmitare e ngjarjes, po merrte hak, u largua me shpejtësi. Të nesërmen, kur njerëzit shkuan në varreza, panë se thika kishte shpuar fustanellën dhe kishte penguar hajdutin të ngrihej.
Kulti i shqiponjës
Shqiponja është një shpend me veti për t’u admiruar. Popujt e lashtësisë i evidentuan cilësitë e shqiponjës dhe u bënë adhurues të saj. Shqiptarët e konsiderojnë veten se janë bijë të shqiponjës, ose që banojnë në vendin e saj. Studiuesi Aleks Buda konfirmon: “Shqiponja në flamurin tonë ka kuptimin e një simboli etnik e një totemi, d.m.th., të një kafshe të shenjtë, që konsiderohet si i pari i fisit.”
Shqiponja dhe simboli saj e kanë burimin te shqiponja zeusiane. Madje, edhe vetë Zeusi i Dodonës konsiderohej një shqiponjë. Pirrua i Epirit u thirr prej ushtarëve të tij shqiponjë. Ai iu përgjigj ushtarëve: “Është merita juaj që unë jam shqiponjë dhe si të mos jem, kur ju me armët tuaja më keni ngritur lart, si me krahë të shpejtë. Nga ky dialog studiuesit shohin edhe burimin e emrit Shqipëri = Shqiponjë.
Gjatë mesjetës, shqiponja është prezente në heraldikat e familjeve të mëdha feudale, si te Kastriotët, Muzakajt dhe Dukagjinët. Simboli i unitetit tonë kombëtar gjeti një pasqyrim më të madh në epokën e Rilindjes Kombëtare. Shqiponja gjendet e gdhendur në: porta, dyer, oxhaqe, taverne, varreza, mburoja, tatuazhe, djepa, furka, kuti duhani, orendi shtëpiake etj., të cilat janë dëshmi e përhapjes së kultit të këtij shpendi madhështor në Shqipëri.
Kulti i kalit
Kulti i kalit për shumë studiues ka një bazë të gjerë shtrirjeje në popuj dhe vende të ndryshme, por Fetusi, në shekullin e II para e.s. , shkruante se perëndia e Neptunit më parë ndër fiset ilire quhej hippius, që do të të thotë “me kalërue, me hip”. Ka të dhëna se, edhe mbreti i detit ndër ilirët quhej hyji i detit dhe në paraqitjen e tij grafike është dhënë në formën e kalit, për nder të të cilit për çdo nëntë vjet ilirët i flijonin detit katër kuaj. Në lashtësinë dhe në antikitet, ilirët përmenden si një popull që flijojnë kalin, si gjënë më të shtrenjtë, për t’i nderuar Zotat.
Anijet e famshme iliriane, të cilat u bënë shqetësuese edhe për Senatin Romak, kishin të gdhendura në bashet e tyre kokat e kuajve. Prania e figurës së kalit konsiderohej fatsjellëse, sepse kali ishte kthyer në një kult për fiset ilire. Studiues të ndryshëm e konsiderojnë vendimtar depërtimin e kalorësve nomadë të stepave veriore (nga fundi i epokës së bronzit në epokën e hekurit) në përhapjen e kultit të kalit. Gjuhëtarët kanë shprehur mendimin se, fjala “kalë” e ka origjinë nga gjuha shqipe. Kështu studiuesi austriak, Karl Traimer, shprehet: “Vetë emri hipus, që quhet kali, lidhet me foljen “hip”, d.m.th. të kalërosh.”
Kulti i kaut
Zbulimet arkeologjike, shënimet e autorëve të antikitetit dhe gojëdhënat rreshtojnë në listën e kulteve për ilirët edhe kultin e kaut. Koha e kultit të tij lidhet me adhurimin e gjedhëve në përgjithësi dhe me shpikjen e parmendës e të qerreve, të cilat tërhiqeshin nga qetë. Studiuesit janë të mendimit se ky kult daton që në epokën e patriarkatit.
Arkeologët e gjetën kafkën e kaut në qendër të një tume në Pazhok të Elbasanit dhe legjendat na thonë: “Kadmi dhe e shoqja, Harmonia, e përshkruan rrugën, për në Iliri, të hipur në një çift qesh (gjedhësh). Stefan Bizanti njofton se, për nder të qeve të Kadmit, në veri të Ilirisë, një qytet kishte emrin Buthoe. Sikurse dihet, tashmë është e studiuar mirë origjina e emrit të Butrintit, Buthrot = vend i rritjes së demave.
Në jetën e përditshme gjejmë njësi frazeologjike, të cilat lidhen me kultin e kaut si: “Të dihej e mira e kaut se thernin bota/”, nisur nga fakti se kau punon tokën. Shpesh dëgjohen njerëz të moshuar: “Kau ka uratë”, “Mishi i tij nuk duhet të hahet’. Madje, për të mos e lodhur, mërzitur dhe për ta vlerësuar kaun bujqit, që lërojnë tokën, duke ngarë qetë dhe duke ecur me parmendë në dorë, u thonë qeve: “Ho, vëlla, ho, avash, vëlla, avash, hë, të keqen hë!” etj.,
Kulti i ujkut
Shpesh në rrjedhat e historisë së popujve, përveç kafshëve shtëpiake, në lashtësi janë adhuruar edhe grabitqarët, duke u shërbyer fiseve të ndryshme si kulte, apo si toteme. Një nga këto kulte është edhe adhurimi i ujkut për ilirët, të cilët na e kanë përcjellë këtë emër edhe si toponim në emrin e qytetit të Ulqinit, për të cilin studiuesit mendojnë se lidhet drejtpërdrejt me emrin e ujkut.
Figura e ujkut gjendet edhe te perandori i Ulqinit, në shekullin XIV. Adhurimi i grabitqarëve lidhet me veçoritë fizike të tyre dhe me faktorët psikologjikë, si besimin, se po të merrej me të mirë ujku, nuk do të ishte dëmprurës etj. Prezenca e ujkut si totem evidentohet, jo vetëm si toponim, por edhe si heraldik, ndër familjet feudale shqiptare të mesjetës. Këtë e konfirmon heraldika e Balshajve.
Studiuesi Kristo Frashëri, në vëllimin e tretë të studimeve për epokën e Skënderbeut, thekson: “Balshajt kishin në emblemën e tyre ujkun, me të cilin është lidhur legjenda e themelimit të qytetit të Ulqinit”. Kulti i ujkut, ashtu si shumë hyjni, i kapërcen kufijtë e mijëvjeçarëve. Ai vjen që nga koha e hyjit Apollon, i cili ishte i lidhur me totemin, me ujkun.
Është kjo arsyeja pse studiuesi Muzafer Xhaxhiu thekson në shkrimin e tij “Rruga për tek pellazgët”: “Ky Hy, quhej Apolln Lyken, nga fjala shqipe ulk me metatezë”.
Kulti i dhisë
Kulti i dhisë e ka zanafillën në legjendën për Zeusin, i cili u fsheh nga e ëma, Rea, në mal dhe atje u ushqye me qumështin e një dhie. Gjatë rrjedhës së historisë, dhia iliriane ishte me famë, jo vetëm për qumështin, por edhe për faktin se, ajo pillte dy herë në vit dhe bënte nga dy dhe tre keca.
Pirrua i Epirit dhe Skënderbeu i mbanin brirët e dhive në përkrenaret e tyre. Prezenca në përkrenaren e Pirros dhe atë të Skënderbeut simbolizonte fat dhe orën e mirë që sillte dhia për mbretin, mbretëritë dhe ushtritë e tyre.Në legjendën e Mujit dhe Halilit, tri dhitë briarta janë mbrojtëse të tyre.
Shpesh cjapi është përdorur edhe si kurban. Studiuesit konfirmojnë se cjapi dhe dhia janë përdorur si simbole të flijimit për perënditë në lashtësi. Folklori shqiptar është një tjetër dëshmi e kultit të dhisë. Si argument ilustrues po sjellim simbolizimin: “Tri dhitë e shenjta të zanave”, të Çabejt. Përveç kultit të dhisë, Herodoti shkruan se, në luginën e Vjosës ka qenë i pranishëm edhe kulti i deles. “Në luginën e Vjosës, thotë ai, mbaheshin në shpellë një tufë dhensh të shenjta kushtuar Diellit”.
Kulti i lisit
Autorët antikë na tregojnë se në lashtësi fiset iliriane (ilirët, epirotët dhe dardanët), krahas kulteve të tjera si ata të kaut, gjarprit, kalit, gurit etj., kishin edhe kultin e lisit (dushkut), kult, i cili u trashëgua tek ata nga pellazgët.
Roberto d’Angeli në librin “Enigma”, thekson: “Kulti i druizmit është një nyjë lidhëse ndërmjet fesë pellazge dhe bektashizmit. Ky kult, argumenton ai, duke filluar prej Dodone u përhap edhe në Perëndim me disa sekte”. Jacues është i mendimit se, fjala “dru” vjen nga keltishtja dhe ka kuptimin “lis” dhe “i urtë”.
Duke iu referuar Dilerikut dhe Plinit mësojmë se qyteti i Drinopojës quhej Drys dhe themeluesja e këtij qyteti ishte Dropeja, e cila ishte e bija e mbretit Eukalis. Sipas legjendës: Dropenë e rrëmbeu Apolloni dhe e shndërroi në lis. Numizmologët, në një monedhë antike, kanë zbuluar Zeusin e Dodonës që mban në kokë një kurorë prej lisi, ndryshe nga figura ku Zeusi paraqitet me rrufe e shtizë.
Kurora me lis është fatsjellëse… edhe për ushtarët e Pirros. Kurse në anën tjetër të medaljes gjendej një gjarpër dhe një lis, të cilat ishin kulte të kohës pellazgo-ilire. Nga lisi i shenjtë i Dodonës mollosiane, tradita homerike na thotë se, ndërtuesit e anijes “Argo ”, morën një copë dhe ndërtuan bashin e anijes.
Eskili, përveç përshkrimit të rrugës, që të çon në Dodonë, na bën të ditur ekzistencën e lisave të shenjtë. “Lisat që flasin, thotë ai, janë një mrekulli që imagjinata s’mund ta rrokë”. Autorë të tjerë të antikitetit theksojnë se, nëpërmjet shushurimës së gjetheve të lisit, Zeusi shprehte vullnetin e tij.
Në Iliri, sikurse bëjnë të ditur autorët e antikitetit, siç e përmendëm edhe më lart, gjendeshin pyje lisi të shenjtë, në të cilët rriteshin gjarpërinjtë, të cilët, gjithashtu, konsideroheshin si kult dhe ushqeheshin çdo vit prej tri femrave të virgjëra, që shkonin në pyll lakuriq. Një pyll i tillë ka ekzistuar në zonën e Lunxhërisë, vend i cili edhe sot nga banorët vendas quhet serpënt = gjarpër nga latinishtja.
Emërvendet dhe lisat shekullorë në qendër të fshatrave të Shqipërisë së Jugut, janë sot një dëshmi e ekzistencës së kultit të lisit. Në fshatin Miricë të Tepelenës, deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX, gjendej pylli i shenjtë i lisit, për të cilin populli betohej: “Ja Lisat e Mericës”,* “Për të dymbëdhjetët mekamët e Miricës”.
Po kështu janë edhe “Lisat e Kadhe” në Kurvelesh, lisi i Shtëpëzit, lisat e Pilurit pranë kishës, kisha e Lirishtes mbi kalanë antike të Leklit, lisat e Hyse dhe lisi i Age në Kalivaç, lisi i Levanit dhe lisat e Rabijes në rrethin e Tepelenës, lisi i Gjerbësit në Mallakastër etj.mStudiuesi M. Tirta, në shkrimin e tij “Mite e besime në bregdetin e sipërm të Himarës”, thekson: “Lisi ishte (në Himarë, shënimi im SH. H.) dru i adhuruar dhe me cilësi shenjtërie”. Kjo vihet re në “arkivolin e të vdekurit të cilin e bënin gjithmonë me dru lisit.
Kulti i Gjarpërit
Gjarpri, ky zvarranik me aftësi të çuditshme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në religjionin dhe mitologjinë ilire. Kulti i gjarprit, është evident edhe te shumë popuj të botës që nga Azia Lindore e deri në Amerikë. Shumë e njohur dhe e famshme është legjenda e Gjarprit Hitit, emri i të cilit ishte Illurjanka, që për disa autorë shërben si burim nga rrjedh edhe emri ilir. Autorë të këtij mendimi janë: gjermani O. Gruppe dhe filologu slloven K. Oshtiri.
Në aspektin kohor, simbolika e gjarprit në trevën shqiptare gjendet përtej kufirit të formimit të etnosit ilir. Ky kult është prezent edhe sot në përralla, legjenda e tregime të ndryshme, brenda gjithë hapësirës etnike shqiptare. Kulti i gjarprit, në rrafshin botëror, daton prej kufirit paleolitik dhe vjen deri në ditët tona, ndërsa në trevat ilire ai evidentohet qysh nga koha e neolitit.
Megjithatë, nga epoka e neolitit e deri në epokën e hekurit, arkeologët ende nuk kanë zbuluar një simbolik të qartë të këtij kulti. Ky fakt arkeologjik i ka shtyrë studiuesit albanologë të mendojnë se fizionomia e plotë e këtij kulti i takon periudhës së hekurit, shek VI-V para e.s. Rruga mitologjike e kultit të gjarprit fillon në Mesopotami, përcillet në Azinë e Vogël dhe këtej në botën mediteranease, nga ku egjeanët dhe fenikasit tregtarë e përcollën në Perëndim.
Por, sipas analitikës sonë, edhe një rrugë tjetër duhet të jetë ndjekur. Bëhet fjalë për popujve kurganë, të cilët iu drejtuan Ballkanit, në vitet 2700-2500 p.e.s. Studiuesit janë të mendimit se lëvizja e popullit pellazgjik bëri të mundur edhe përhapjen e kulteve, për të cilët ata ishin bartës të tyre.
Shumë sinjifikative është legjenda, të cilën na e ka përshkruar Apolodori. Sipas tij: “Kadmi, pasi kërkoi dhe nuk e gjeti të motrën Evropën, që e kishte rrëmbyer Zeusi, u vendos në Tebë dhe u martua me Harmonin, e cila ishte e bija e perëndisë së luftës, Aresit, dhe e perëndeshës Afërdita. Me urdhër të perëndive Kadmi shkoi në mbretërinë e Enkelejve dhe u bë mbret i tyre.
Në mbretërinë Enkelease ata lindën një djalë, i cili në momentin e lindjes u mbështoll nga gjarpri mistik. Djalit ia vunë emrin “Ilir” nga rrjedh edhe emri i Ilirisë. Në kohën e pleqërisë Kadmi dhe Harmonia u shndërruan në gjarpërinjë të shenjtë.
Kulti i gjarprit respektohej edhe prej familjeve mbretërore. Kështu Olimpia, bashkëshortja e Filipit dhe nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, e cila ishte e bija e mbretit të Epirit, disa herë ishte parë të mbështillte rreth trupit gjarpërinj të gjallë.
Autorët antikë dhe kujtesa popullore na ofrojnë edhe legjenda të tjera për gjarprin, prej të cilave po veçoj legjendën e gjarprit të Bistricës. Në zonën e Delvinës në lashtësi ishte një gjarpër i madh (Kuçedra), i cili ishte bërë tmerri i zonës, sepse, jo vetëm kishte zënë burimet, por edhe hante çdo gjë, madje edhe njerëzit. Tentativat për ta vrarë gjarprin kishin dështuar, por funksionoi plani i një plaku.
Plaku ngarkoi një gomar me eshkë dhe qymyr. Kur përbindëshi ishte në gjumë, plaku e shpuri gomarin në vendin ku flinte dhe ndezi një eshkë. Gjarpri, pasi e hetoi gomarin e hëngri, por eshka vazhdonte të digjej nga frymëmarrja e gjarprit dhe bashkë me të edhe gjarpri. Meqenëse nuk i duronte dot dhimbjet i kërkoi ndihmë perëndisë së detit dhe Bistricës.
“Ku je, o nëna ime Bistricë dhe ti motra det? ”. Bistrica nxori 18 burimet e Syrit të Kaltër, por kjo nuk i mjaftonte gjarprit, i cili e kuptoi gabimin dhe thirri: “Ku je, nëna ime det dhe ti motra Bistricë?”. Deti erdhi deri në Finiq, por nuk arriti ta shuante. Që të shpëtonte nga dhimbjet gjarpri lëvizi me shpejtësi në shpatin e malit mbi Devinë.
Nga lëvizja u formua një vijë e drejtë, ku nuk mbin bari. Këtë vijë vendasit e quajnë: “rruga e gjarprit”, atje, ku sot, gjendet një dukuri komplekse natyrore me origjinë gjeologjike, në të dyja anët e së cilës ka mbirë valanidh. Me kockat e gjarprit, u ngrit, thotë legjenda, manastiri i Mesopotamit. Në muret e poshtme të manastirit të Mesopotamit, gjendet një gur i madh në faqe të së cilit, është gdhendur një gjarpër, i cili është ndoshta dragoi shqiptar.
Albanologu Robert Elsie, në veprën “Leksiku i kulturës popullore shqiptare, besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore”, thekson: “Gjarpri ka qenë simbol i fuqishëm i ilirëve të lashtë, sidomos i atyre të Ballkanit jugor. Në periudhën romake, në Dardani, kishte altar kushtuar gjarpërinjve Drakon dhe Drakaena”.
Forma e gjarprit gjendet në shumë figura, skulptura, objekte zbukurimi e stoli të ndryshme, varëse në përmendoret e periudhës romake etj. Në pjesën e poshtme të murit të manastirit të Mesopotamit, në Delvinë, gjendet një gjarpër i gdhendur në gur, me krahë dhe me bisht të përdredhur, i cili mendohet e motivohet edhe si dragoi shqiptar.
Në luginën e Vjosës, gjarpri është prezent në skulpturën e një femre, e cila është gjendur në fshatin Qesarat të rrethit të Tepelenës. Skulptura është prej guri gëlqeror dhe ka një lartësi 0.98 m. Në të paraqitet një femër me një shportë të mbushur me fruta në dorën e majtë, rreth së cilës është mbështjellë një gjarpër, koka e të cilit drejtohet për nga frutat në shportë.
Arkeologët shqiptarë, H. Ceka dhe S. Anamali, janë të mendimit se këtu gjarpri simbolizon bollëkun e prodhimit. Të njëjtin mendim e shpreh edhe M. Xhaxhiu, kur thekson: “Një rëndësi të veçantë ka pasur te ne roli i gjarprit në çështjen e pjellorisë së tokës, si forcë vepruese për mbarësi dhe bollëk të prodhimeve bujqësore, si dhe për lindjen e gruas,” shton ai.
Gjarpri ishte një figurë, i cili adhurohej shumë në gjithë luginën e poshtme të Vjosës gjatë antikitetit. Ai është prezent edhe në monedhat e Bylisit, Amanties dhe Apolonisë. Aleksandër Stipçeviç jep këtë shpjegim për figurën e cjapit, që është në luftë me gjarprin, skenë, e cila gjenden në monedhat e kolonisë greke të Farit: “Cjapi simbolizon kolonët dhe gjarpri ilirët”.
Kulti i gjarprit mund të evidentohet edhe sot, nëpër të gjitha krahinat. Mendohet se çdo shtëpi ka gjarprin e saj, që konsiderohet mbrojtësi i shtëpisë dhe njihet me emra të ndryshëm: “ Vitorja e shtëpisë”, “ Roja e shtëpisë”, “ Boa”, “ Uratë e shtëpisë”, “Zot i truallit të shtëpisë”, “Tokësi” “Gjarpri i shtëpisë”etj. Ky gjarpër nuk vritet, por edhe nuk është i dëmshëm për të zotët e shtëpisë, të cilët nuk tremben prej tij. Në zonën e Tepelenës besohet se kur dikush vret një gjarpër, “ I zoti i jetës” thotë: “ Vrau miza një Ezhdërha”.
Një element tjetër, i cili dëshmon për kultin e gjarprit në trojet shqiptare, është njoftimi i autorëve të antikitetit se në Iliri kishte pyje të posaçme, ku rriteshin gjarpërinjtë, të cilët ushqeheshin një herë në vit prej tri femrave, që shkonin atje nudo. Nëse pranohej ose jo ushqimi, priftërinjtë bënin parashikimin e ecurisë së motit, prodhimit, mënyrës së qeverisjes, mundësisë së zhvillimit të luftërave etj.
Kulti i gjarprit te pellazgët dhe te ilirët (ilirët, epirotët dhe dardanët shënimi im, Sh. H.), ishte një totem, ndërsa te shqiptarët konsiderohet edhe sot si mbrojtës prej fatkeqësive. Gjarpri i shtëpisë ose Vitorja ka qenë e shenjtë. Ajo ishte mbrojtësja e familjes, e njerëzve, sillte mbarësi në njerëz, në prodhime, në bujqësi, blegtori e në pemëtari.
Figura e gjarprit gjendet e skalitur edhe në portat e shtëpive, zbukurimet e ndryshme me gdhendje druri, si në: tavane, musëndra, dyer, furka tjerrjeje, cula dyjare, çifteli, kërraba, në përmendoret e varreve etj., duke përfshirë një areal të gjerë në zona të ndryshme të vendit si në: Përmet, Labëri, Çamëri, Malësi e Madhe, Dukagjin, Kosovë, Malësi e Tiranës etj. Mark Tirta, gjatë studimit të dokeve dhe zakoneve të Malësisë së Tiranës, konfirmon se koka dhe lëkura e gjarprit përdoreshin në këtë trevë si hajmali për fëmijët, për t’u mbrojtur nga syri i keq dhe sëmundjet e ndryshme. Prania e kultit të gjarprit edhe në ditët tona, me një shtrirje në të gjitha trevat shqiptare, dëshmon për një kult të përbashkët shqiptar, i cili u ka rezistuar dogmave të besimeve monoteiste.
Kulti i gurit
Me kultin e gurit lidhen një sërë ritesh popullore siç janë: betë, faljet në vendet e shenjta; gjithashtu ruhet edhe besimi për gurin e pragut të derës etj. Beja mbi gur është shprehur edhe në kanunin e Lek Dukagjinit. Në shumë raste njerëzit betohen: “Për atë gur”, “Për gurin e pragut’, “Mos e kapërcefsh gurin e pragut” etj. Kulti i gurit haset edhe në formën e besimit. Kështu, besohet në Labëri, në Gostivar, Tetovë, Kosovë etj.
Guri është përdorur gjerësisht edhe në folklorin shqiptar në gjithë hapësirën etnike. Në vargjet e këngëve popullore dëgjohen shpesh: “Kam themelin tek ky gur/ besa jam shqiptare e se ul flamur”.
Kultet e lartpërmendura mund t’i përmbledhim në një përkufizim, i cili përgjithësisht gjendet në shumë fjalorë të gjuhës shqipe dhe të gjuhëve të huaja. Kult fetar konsiderohet një shërbesë fetare për nder të një hyji, për të cilin zhvillohen ceremoni mistike.
*Shyqri Hysi – “Gjurmime albanologjike Folklor dhe etnologji” / KultPlus.com