3 Shtator, 2019 - 1:20 pm
Qendrim Badalli
“KultPlusi është një oazë shumë e rëndësishëm që po punon për kulturën në vend më shumë se shtëpitë e mëdha mediatike që kanë me qindra punëtor”, këto qenë fjalët e Nezir Krakit në festën e gjashtë vjetorit të KultPlus-it.
Portali i vetëm për art dhe kulturë në Kosovë, KultPlus, dje ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit të tij. Me qindra e mijëra tekste të publikuara çdo ditë, me intervista dhe rrëfime, me organizime të ngjarjeve kulturore, me rikthimin në kohë të figurave më eminente artistike dhe me promovimin e artistëve të rinjë të të gjitha fushave, KultPlus është përpjekur dhe po vazhdon të punojë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës në vend. Koncerti i mbajtur në Kosovë i talentes tashmë me famë të madhe, Erza Muqollit, ka qenë njëra ndër ngjarjet më të suksesshme të KultPlusit të realizuar ndër vite.
Përvjetori i gjashtë i themelimit të KultPlusit është më i veçantë sepse me suksese Kulti ka arritur që ta hap edhe Qendrën Kulturore KultPlusCaffeGallery, e cila tashmë po shërben si një hapësirë e përshtatshme dhe efikase për mbarëvajtjen e aktiviteteve të ndryshme kulturor-artistike. KultPlus po rritet bashkë me mbështetjen e ndjekësve tanë dhe sponsorizuesve tanë, të cilët i falënderojmë për përkrahjen e tyre të deritanishme duke u premtuar vazhdimin e punës sonë profesionale ashtu siç jemi munduar ta bëjmë deri tani.
Në gjashtë vjetorin e KultPlusit mysafir special ishte, Nezir Kraki, profesor universitar në Paris që pasion e ka letërsinë dhe poezinë. Ai ka folur gjerë e gjatë për pasionin e tij, për karrierën e tij akademike si dhe ka shprehur qëndrimet e tij rreth aktivitetit letrar, artistik si dhe social në vend.
Fillimisht Ardianë Pajaziti, themeluese dhe kryeredaktore në KultPlus, me rastin e ceremonisë së gjashtë vjetorit të themelimit të gazetës së parë shqiptare për art dhe kulturë para të pranishmëve ka thënë se në Kosovë, fatkeqësisht edhe më tutje arti dhe kultura konsiderohen të jenë luks.
“Shumë kemi punuar që ta ndryshojmë këtë perceptim, sepse kultura është e domosdoshme për çdo shoqëri, e sidomos për shoqërinë kosovare, që ka shumë nevojë që nëpërmjet kulturës të përfaqësohet edhe më shumë jashtë vendit”, ka thënë Pajaziti.
Tutje ka vazhduar profesori Nezir Kraki i cili pas fjalëve të mira për KultPlus-in
ai ka thënë se ndihet me fat që jeton në Paris, pasi ky qytet e ka motivuar dhe
lidhur edhe më shumë me kulturën dhe letërsinë franceze, dhe jo vetëm.
“Kam pas fat me jetu edhe në rrugë e lagje ku kanë jetuar autorë të mëdhenjë, kështu
që gjithçka më lidh fort me kulturën franceze dhe në përgjithësi me letërsinë e
saj. Përmes saj ju kam rikthy letërsisë shqiptare dhe kulturës evropiane dhe
botërore në përgjithësi.”
Ai ka folur sesi letërsia e ka ndihmuar edhe në profesionin e politikës duke e lënë të nënkuptohet se letërsia nuk është produktive vetëm për anën subjektive të njeriut.
“Në fillim e thash që më shumë jam krenar për këtë anë (letërsinë) sesa për anën tjetër me të cilën e fitoj edhe bukën e gojës, në fakt as në këtë zanatin e politikës dhe të profesorit në shkencat politike nuk do të kisha qenë ndoshta ky që jam, ose ma mirë me thanë do të isha dukur më keq pa zanatin e letërsisë”.
Ai ka thënë se përvoja jetësore shumë shpesh është më e rëndësishme se diplomat burokratike që ne i marrim në institucione arsimore.
“Jeta dhe diploma e jetës është shumë më e vlefshme se diploma e Hardward-it ose diplomat e Parisit. Ka plotë njerëz që unë dhe ju njohim që kanë diploma të vlefshme po që kanë dështu në diplomën e jetës. Pa e pasur diplomën e jetës me sukses, diploma e letrës nuk ka kuptim”.
Duke e ditur se Kraki është shumë aktiv në rrjetet sociale, në përgjigje e sipër, me shaka, ai ka treguar sesi e instrumentalizon poezinë për ‘pajtim me njerëzit’.
“Arsyet përse e fus një poezi kohë pas kohe është shumë meskine se unë i preki në Facebook disa tema të nxehta që krijojnë debat e komente njëfarë lufte vrituale, po pasi jam në Parsi e s’ma dinë adresën them në rregull është, plus nuk kanë as viza e s’munden me ardh këtu, kështu që përmes poezisë unë i zbusë njerëzit, dua të ju them “hajdeni bëhemi prapë miq”.
Kraki ka folur edhe për temën e shumë përfolur rreth ndërtimit të një Teatri të ri në Shqipëri për të cilin ka shprehur rezervat dhe kundërshtimin e tij.
“Çka duhet salla me xhama, xhamat nuk e bëjnë artin, as objekti nuk e bënë artin, objekti është forma, përmbajtja është brenda”.
Siç i takon një njeriu që shkruan dhe që është i preokupuar edhe me anën njerëzore dhe emocionale, Kraki shpreh brengën e tij për jetën njëdimensionale, për robotizimin, për jetën formale dhe rutinore që e jetojnë shumica e njerëzve sot.
“Sot unë jam shumë i mërzitur që jo vetëm koha po kalon shpejt por edhe njerëzit vrapojnë pas kohës dhe nuk po arrin më të gjejnë momente jashtë kohës, jashtë kuadrit, me jetu brenda tyre diçka me njerëz të tjerë, apo vetëm vetë, s’ka rëndësi kudo qoftë, në çdo hapësirë gjeografike, me dalë pak prej autostradës së jetës, me bë një pauzë, me marrë energji pozitive, me taku njerëz”.
Ai e ka vlerësuar anën kulturore të Kosovës, duke përmendur disa fusha që po arrin suksese edhe jashtë Kosovës.
“Na s’kemi shumë diçka që me eksportu, por kemi sportistë, artistë shumë të zotë, individualisht që kulmojnë jashtë edhe si ekip tash, si xhudo, si Majlinda Kelmendi, jemi shumë mirë për një vend të vogël. Ka mundësi edhe ma shumë, tema kemi mjaft duhet vetëm me lexu më shumë, me pasë njohuri ma shumë, sidomos për ata që bëjnë film, duhet të analizohen filma të thellë, në mënyrë që të pranohen, në veçanti në Francë”.
Kraki ka thënë se arti dhe letërsia kanë rol jetik në marrëdhëniet shoqërore meqë ato i bashkojnë njerëzit, përderisa fushat tjera i përçajnë ata.
“Poezia dhe letërsia është ushqim i shpirtit që na ndihmon të harrojmë dallimet politike, ideologjike. Të gjitha fushat tjera i ndajnë njerëzit përveç artit dhe letërsisë që i bashkon”.
Mes duartrokitjesh nga një numër i madh i të pranishmëve dhe një falënderimi nga Nezir Kraki, mbrëmja dedikuar gjatë vjetorit të KultPlusit u mbyll me një poezi të përzgjedhur nga vetë ai, të cilën e solli me shumë dashuri për të pranishmit.
Pas gjithë kësaj ligjërate të thukët nga profesori Kraki, të pranishmit patën rastin të ndërlidhen në bisedë dhe të parashtrojnë pyetje të cilave Kraki ju përgjigj me shumë përkushtim e seriozitet. Krejt për fund eventi vazhdoi me një koktej rasti ku të pranishmit vazhduan ta takojnë nga afër Krakin, të bisedojnë e të fotografohen me të. / KultPlus.com