14 Gusht, 2024 - 6:02 pm
Berati, qyteti mijëravjeçar, pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, ka se ç’t’i ofrojë turistëve.
Përtej shijimit të pjesës muzeale, Berati është shndërruar edhe në një pikëtakim fantastik të përvojave të sporteve të aventurës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau online, një material filmik që tregon disa prej përvojave më të bukura e emocionuese që kanë kaluar vizitorët vendas e të huaj, të qytetit të Beratit.
“Nga xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, tek hiking me mushka në Kalanë e Tomorit, aksesimi i këtyre destinacioneve falë investimeve në infrastrukturë dhe ideve të bukura të guximtarëve në industrinë e turizmit, e kanë disafishuar hartën turistike të Beratit brenda pak vitesh”, shprehet ministrja Mirela Kumbaro.
Berati ofron shumë për miqtë e tij, si për ata që duan të kalojnë pushime aktive ashtu edhe për ata që zgjedhin qetësinë e muzeumeve, kishave e xhamive mesjetare. Qyteti që në lashtësi mbante emrin Antipatrea mendohet se u themelua në vitin 314 para Krishtit. Bazuar në mbetjet qeramike të gërmimeve arkeologjike, supozohet se banohej nga popullsia ilire që i përkiste fisit të Dasaretëve. Antipatrea u ndërtua në një vend të rëndësishëm strategjik, në majë të një kodre që dominon grykën e lumit Osum.
Gjatë gërmimeve të kryera në zonën e Kalasë së Beratit, u zbuluan disa pjesë të murit antik të qytetit të ndërtuar në shekullin e IV para Krishtit, si dhe u identifikua edhe porta e qytetit të asaj periudhe. Këto mund të shihen ende në disa vende, të ndërtuara në murin mesjetar të qytetit dhe në portën e qytetit./atsh/ KultPlus.com