31 Tetor, 2022 - 12:15 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se, angazhimi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit gjatë sezonit veror, në aksioni për pastrimin e mjedisit përgjatë vijës bregdetare në katër bashkitë e vendit, do të vijojë edhe vitin që vjen gjatë periudhës qershor -shtator 2023, duke u shtrirë në 8 bashki.
Kumbaro vlerësoi aksionin për pastrimin e mjedisit përgjatë vijës bregdetare, si faktor të rëndësishëm në mbarëvajtjen e sezonit turistik 2022, ndaj tha ajo, “këtë aksion do të përsërisim edhe në vitin 2023, për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, në kushtet kur 10-fishohet edhe numri i qytetarëve, që frekuentojnë bregdetin shqiptar”.
E pranishme në Komisionin e Kuvendit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit, Kumbaro deklaroi se, projektbuxheti i vitit 2023 do të mbështesë katër programe kryesore; Planifikim administrimin dhe menaxhimit e turizmit, mbrojtjen e mjedisit; pyjeve dhe menaxhimin administrativ të MTM.
Në prezantimin e projektbuxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ministrja tha se “buxheti për vitin 2023 adresuar MTM, është 2 miliardë e 362 mijë lekë, ose mbi 19.1 milionë euro të ndara në 7 zëra, ku ndër më kryesoret janë paga sigurime, shpenzime të brendshme; fondi i veçantë, investime, financime të huaj”.
Kumbaro tha se në draftbuxhetin e vitit 2023 ne kërkojmë që të ketë një lëvizje në fondin e pagave nga 729 milionë 300 mijë lekë në 727 milionë 790 mijë lekë, kjo për shkak të rishikimit të organigramës, për të bërë më efikas raportin punonjës-objektiva për të arritur në kushtet e zhvillimeve aktuale, pas 5 vitesh që funksionin kjo ministri me dy portofole turizëm/mjedis.
Sipas saj, ulja me 6% e buxhetit ka të bëjë me mbylljen e disa projekteve, por është e rëndësishme tha ajo, që “rritja me 8% e fondit të shpenzimet korente, ka të bëjë me përsëritjen e programit për pastrimin e vijës bregdetare gjatë sezonit turistik”. / atsh / KultPlus.com