Kumbaro: Përvojat unike të të përjetuarit të Valbonës në zemër të Alpeve

1 Shkurt, 2025 - 12:56 pm

E mbuluar nga petku i bardhë i dëborës, Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj në këto ditë dimri.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga turistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.

“Përvojat unike të të përjetuarit të Valbonës mes natyrës së paprekur dhe një trashëgime të jashtëzakonshme në zemër të alpeve”, shkruan Kumbaro.

Lugina e Valbonës dhe Luginën e Tropojës gjatë vitit të kaluar u vizitua nga 233 695 turistë vendas e të huaj.

Kjo luginë, e konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse, është një ndër më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj.

Ajo është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996 dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Lugina e Valbonës është cilësuar si mrekullia e Alpeve ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur Lumi i Gashit./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme