2 Tetor, 2023 - 5:00 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro priti sot në një takim delegacionin e MEDEF, rrjetit ndërkombëtar të sipërmarrësve francezë.
Delegacioni kryesohej nga Jean-Paul Agon, President Bordi i kompanive franko-shqiptare dhe President i komitetit drejtues të markës L’Oreal.
“Imazhi i ri i Shqipërisë Turistike dhe atraksioneve unike, ka zgjuar interesin e shumë investitorëve francezë për të zgjeruar bizneset e tyre drejt vendit tonë, me vitin 2023 që shënon rekordin e vizitorëve francezë me 57% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, tha Kumbaro.
Shqipëria po shënon këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i takon fluksit të lartë të vizitorëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë.
Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të këtij viti arritën në gati 7.2 milionë persona (7,190,410), me një rritje prej 26.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./atsh/KultPlus.com