16 Shtator, 2022 - 11:27 am
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi sot në Kuvend, dy projekte madhore për mjedisin në kuadër të programit IPA III mbështetur nga Komisioni Europian, me qëllim përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe rritjes së zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Projekti i parë lidhet me menaxhimin e integruar të mbetjeve, në vazhdim të promovimit të modeleve të riciklimit si e vetmja mënyrë për uljen e volumit të mbetjeve, një prioritet i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Vlera e tij shkon në 35 milionë euro dhe do të zbatohet duke ndërtuar edhe pikat fundore të trajtimit të mbetjeve në Kukës, Gjirokastër dhe rajonin e Vlorës Jugore.
“Programi do të zbatojë modele për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta bashkiake dhe mbylljen e landfilleve që nuk janë në përputhje me rregullat mjedisore. Në këtë projekt përfshijmë riciklimin dhe ripërdorimin për Kukësin dhe Gjirokastrën e Vlorën. Këto modele do të bazohen në studimin e fizibilitetit për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta të zhvilluar për të dyja zonat”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja shtoi se këto projekte shkojnë paralelisht me ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve në lidhje me mbetjet, ndaj është e domosdoshme që të aplikohet kultura e riciklimit, ripërdorimit dhe kompostimit.
Nga ana tjetër, Kumbaro vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe marrëveshjen e dytë në kuadër të “EU for Nature”, dedikuar zonave të mbrojtura.
“Marrëveshja parashikon 6 milionë euro dhe përqendrohet në hartimin e planeve të menaxhimit të gjashtë zonave, si edhe në krijimin e zonave të reja të mbrojtura. Kjo është pjesë e përgatitjes për rrjetin ‘Natura 2000’. Objektivi minimal i programit është të mbrojë dhe të ruajë 25 për qind të territorit shqiptar në tokë dhe në det, deri në vitin 2030, kurse ai maksimal, të arrijë në 30% të territorit të Zonave të Mbrojtura”, u shpreh ministrja Kumbaro, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në mbrojtjen e habitateve dhe specieve të rëndësishme./atsh / KultPlus.com