22 Dhjetor, 2024 - 11:09 pm
Në Gjirokastër janë drejt finalizimit punimet për rivitalizimin e sheshit “Çerçiz Topulli”, që pritet t’i gjallëroj edhe më shumë zonën e vjetër të qytetit, duke e bërë Qafën e Pazarit të lidhet natyrshëm me pjesën tjetër të qytetit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale momente nga puna që vijoj aktualisht aty, ku po vendoset busti i Çerçiz Topullit i restauruar.
“Nga episodi “Çeçua në aksion” për t’u rikthyer në piedestalin e tij prej mermeri që po i nënshtrohet gjithashtu restaurimit, pasi mbaroi rikualifikimi i plotë i sheshit falë investimit të qeverisë dhe projektit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, shkroi Kumbaro.
“Sheshi i Çerçizit” i rikonceptuar, duke mos prekur elementët urbanë ekzistues do të kthehet në një vend pushimi për turistët e shumtë që mrekullohen nga pamja magjepsëse që ofron qyteti.
Investimet e reja në restaurimin e qytetit e vendosin Gjirokastrën, përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve./atsh/ KultPlus.com