11 Qershor, 2024 - 3:01 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Baku, zhvilloi takime me personalitete të larta të turizmit dhe mjedisit nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe financave të gjelbra.
Azerbajxhani do të jetë vendi pritës i Samitit Botëror të Klimës COP29 këtë vit, nën temën “Financat e Gjelbra”.
Në takimin me ministrin e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore, Mukhtar Babayev, ministrja Kumbaro njoftoi se Shqipëria po punon për të prezantuar në sekretariatin e Konventës, Kontributin Kombëtar të Klimës.
Gjithashtu të dy ministrat dakordësuan për mundësi bashkëpunimi në modelet e turizmit të qëndrueshëm përmes zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.
“Shumë i vyer me takimi me ministrin e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Azerbajxhanit që do të presë këtë vit Samitin Botëror të Kilmës COP29 me temë “Financat e Gjelbra” e ku Shqipëria po përgatitet për prezantimin e Kontributit Kombëtar të Klimës në sekretariatin e Konventës”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Më tej, ministrja Kumbaro u takua me Fuad Naghiyev, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Azerbajxhanit, ku diskutuan mundësi për të çuar përpara bashkëpunimin në fushën e turizmit që vendosëm gjatë mbledhjes së Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik mes dy vendeve tona.
3190 vizitorë nga Azerbajxhani kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit 2023, ose 130% më shumë se viti 2022, shifra që tregojnë potencialin e tregut azer përmes prezantimit të ofertës turistike shqiptare.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndodhet në Azerbajxhan në kuadër të mbledhjes së Komitetit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit./atsh/KultPlus.com