16 Prill, 2025 - 11:12 pm
Shtëpia e Zekatëve në Gjirokastër, e ndërtuar në vitin 1812 është kthyer në një destinacion për vizitorët nga e gjithë bota.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizitoi nga afër këtë shtëpi, ku bisedoi me një nga trashëgimtarët e kësaj shtëpie.
“Shtëpia e Zekatëve është një prej atyre dyerve të mëdha të Gjirokastrës që është jo vetëm perlë e arkitekturës, por dëshmi e gjallë e historisë dhe mënyrës së jetesës së shekullit XIX të qytetit e rrëfyer në sofatet, gurët, minderet, kortinkat e në të gjitha tertipet e një shtëpie gjirokastrite”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh e lumtur që Xhorxhi, njëri prej trashëgimtarëve, është rikthyer të mbajë derën e shtëpisë hapur dhe të presë vizitorë nga gjithë bota.
“Këta vizitorë janë kureshtarë për të njohur shtëpitë e mëdha të Gjirokastrës që janë muze të vërtetë etnografikë dhe thesare artizanale, por edhe për të kontribuar në zinxhirin e ekonomisë së prodhuar nga praktikat e turizmit”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se “nuk është biznes i lehtë që të bësh ekonomi me një shtëpi të vjetër, është emër i madh, është atraksion origjinal siç janë disa shtëpi të tjera këtu në Gjirokastër. Sa më e madhe shtëpia aq më e madhe edhe vështirësia apo kostoja për ta mirëmbajtur. Kur fillon e prodhon ekonomi ndoshta nuk të bën të pasur për një ditë por të bashkon pasionin me interesin ekonomik”.
Xhorxhi tha se “turistët vijnë nga Italia, Gjermania, Spanja, Franca dhe vende të tjera të botës”. /atsh/ KultPlus.com