13 Dhjetor, 2024 - 11:33 am
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau sot në rrjetet sociale peizazhe mahnitëse të Valbonës, një perlë e turizmit dimëror, ku bashkë me mikpritjen dhe shërbimin fantastik të guidave lokale, ofrohet një turizëm i sigurt.
Dëbora e rënë ditët e fundit ia ka shtuar bukurinë kësaj pjese të Alpeve shqiptare. Mes bardhësisë dallon ngjyra e kaltër e lumit që gjarpëron nëpër luginë.
Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Ajo ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve, pranë Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50,6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare, pas luginës së Thethit.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas, por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit./atsh/KultPlus.com