1 Prill, 2025 - 4:03 pm
Pak ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit në konkursin ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dha lajmin se pjesëmarrësit po tejkalojnë pritshmëritë.
“Konkursi ndërkombëtar “Wanderlust in Albania” ka arritur një pjesëmarrje rekord nga 32 shtete. Nga Shqipëria dhe Kosova e deri në Australi, nga Brazili në Indonezi, dashamirësit e natyrës dhe aventurës po tregojnë me foto dhe video magjinë e Shqipërisë”, shkroi ministrja Kumbaro në rrjetet sociale.
Fotografitë dhe videot mund të ngarkohen deri më datën 4 prill 2025, për t’u bërë pjesë e kësaj gare unike.
Ky është edicioni i dytë i “Wanderlust in Albania”, konkurs i bazuar në foto dhe video reels, të cilat përbëjnë një mundësi të shkëlqyer promovimi të bukurive të vendit tonë.
Në garë mund të marrin pjesë si fotografët profesionistë, ashtu edhe ata amatorë që kanë fiksuar imazhe të bukura të vendit tonë, gjatë dy viteve të fundit./atsh/KultPlus.com