22 Maj, 2023 - 4:30 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka uruar sot Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit me një shumëllojshmëri bimësh që rriten në vendin tonë, nga veriu në jug.
“Një buqetë lulesh të mbledhura nga zonat e mbrojtura prej veriut në jug, që janë oazet më të qeta e të larmirshme të biodiversitetit në Shqipëri, në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit”, shkruan Kumbaro në postimin e saj në rrjetet sociale.
Kombet e Bashkuar shpallën 22 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, të shumëllojshmërisë biologjike.
Zonat e mbrojtura, tashmë janë habitate të qeta dhe të sigurta, ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi.
Ligatinat bregdetare dhe liqenet brenda vendit janë zona veçanërisht të rëndësishme për dimërimin e llojeve migratore.
Vendosja e moratoriumit të gjuetisë ishte një iniciativë që me gjithë qëndrimin kundër të gjuetarëve e rriti ndjeshëm numrin e kafshëve të egra apo zogjve shtegtarë, madje edhe të atyre në rrezik zhdukjeje në Zonat e Mbrojtura, duke sjellë në vendin tonë disa nga llojet e shpendëve më të rrallë në botë.
Si pasojë e moratoriumit të gjuetisë, në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është rritur numri i shpendëve të ujit, ku flamingot i gjejmë në këtë park si asnjëherë më parë.
Shtim të llojeve të faunës së egër kemi edhe në Kune-Vain; në Liqenin e Shkodrës, në Nartë, Butrint, Orikum, Patok, në Karpen, Seman dhe në liqenin e Tiranës.
Pasuritë natyrore, bukuria e krahinave dhe pyjeve shqiptare janë kthyer edhe në një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj ku kanë mundësi të vëzhgojnë kafshë dhe shpendë të rrallë qëllon t’i hasësh në përditshmëri./ atsh / KultPlus.com