8 Janar, 2020 - 6:00 pm
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës në Kosovë, përmes një kumtese ka kundërshtuar zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që është përmendur se do të ndodhë në Qeverinë e ardhshme.
Përmes kësaj kumtese, RRIPAK përsëritë kërkesën për krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
”RRIPAK thekson edhë një herë që partitë politike duhet të rrisin urgjentisht vëmëndjen për rolin dhe ndikimin shoqëror dhe zhvillimor te këtij aktiviteti të rëndësishëm shoqëror, dhe të fuqizojnë pozitën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore në qeverinë e re për të krijuar një paradigmë të re zhvillimore në Kosovë duke trajtuar artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore si interes kombëtar dhe pikë parësore të politikave zhvillimore”, thuhet në këtë kumtesë.
Po ashtu ata vlerësojnë se plani për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mos themelimin potencial të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të jetë shumë i dëmshëm për interesin publik dhe kombëtar të Kosovës.
“Me zhbërjen eventuale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe mosthemelimin e Ministrisë së Kulturës, Kosova do të veçohej nga shembujt e politikave progresive në vendet demokratike të Evropës jug-lindore, dhe vendet e Bashkimit Evropian”, ka konstatuar RRIPAK gjatë hulumtimeve të bëra./KultPlus.com