21 Mars, 2022 - 4:30 pm
Aktorët e njohur të Hollywoodit, Mila Kunis dhe Ashton Kutcher, kanë arritur t’i mbledhin më shumë se 30 milionë dollarë për refugjatët ukrainas, të cilët po largohen nga vendlindja si pasojë e pushtimit të vazhdueshëm rus, raporton CNN-i të hënën.
Përmes një videoje të postuar më herët në rrjetet sociale, ata i falënderuan të gjithë përkrahësit për donacionet e tyre.
“Më shumë se 65 mijë njerëz kanë dhuruar për këtë kauzë. Jemi shumë mirënjohës për gjithë këtë përkrahje. Tani me ndihmën tuaj e kemi arritur shumën e synuar prej 30 milionë dollarësh”, deklaroi Kunis.
Tutje, aktorja tha që pavarësisht se ky donacion nuk e zgjidh krizën e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, “përpjekja jonë kolektive e lehtëson procesin e zhvendosjes së kaq shumë njerëzve, të cilët gjenden në një situatë të vështirë dhe të cilët po i pret një e ardhme e pasigurt. Puna jonë nuk ka përfunduar ende. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që gjithë kjo dashuri që erdhi si pjesë e kësaj fushate, ta gjejë ndikimin maksimal tek personat në nevojë”.
Çifti i famshëm i showbizit, në fillim të muajit mars bëri të ditur se i ka dhuruar 3 milionë dollarë për bashkatdhetarët e Kunisit, e cila ka lindur në Ukrainë.
Të hollat e mbledhura do të dhurohen për strehimin e refugjatëve ukrainas. / KultPlus.com