24 Qershor, 2024 - 2:12 pm
Në vitin 1996 shkrimtari Argjentinas me nënë arbëreshe (shqiptare) dhe një nga shkrimtarët absolutisht me të mëdhenj të botës , Ernesto Sabato , nderohet në Tiranë me çmimin “Kadare”. Në librin e tij të fundit me kujtime “Përpara fundit” përkthyer nga Ajsela Koka dhe Botime Dritan, Sabato shkruante kështu:
“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.
Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë…”
Ernesto Sabato lindi si sot 113 vite më parë ,për të mbetur përjetësisht mes të mëdhenjve të letërsisë botërore.
(Në foto Ernesto Sabato dhe Visar Zhiti) /TemA/ KultPlus.com