7 Korrik, 2021 - 4:30 pm
Publikohen disa dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të vitit 1990, ku ndodhet një korrespondencë në mes ambasadës shqiptare në Paris, me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ku diplomatët shqiptarë informojnë dhe i bëjnë me dije eprorëve në Tiranë, ku me rastin e pritjes që dha Ramiz Alia me rastin e vizitës në vendin tonë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Pérez de Cuéllar, ambasadori i Francës, Michelle Bulmer kishte pyetur nëse kishte ndonjë përgjigje nga pala shqiptare, për propozimin e dekorimit të shkrimtarit Ismail Kadare me dekoratën “Des Arts et des Lettres” nga ana e Ministrisë së Kulturës së qeverisë franceze, të kryesuar prej Zhak Lang. Korespondenca e plotë në mes ambasadës shqiptare në Paris dhe eprorëve në Tiranë, lidhur me propozimin e shtetit francez për dekorimin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, me dekoratën e lartë.
Nga Dashnor Kaloçi
Në mesin e viteve ’50, kur në Bashkimin Sovjetik, falë liderit të sapoardhur në fuqi Nikita Sergeyevich Khrushchev dhe mbështetësve të tij, po kryhej procesi i destalinizimit, diku në Itali filloi të qarkullonte një libër, tip broshure, ku përshkruheshin me detaje tmerret e luftës civile (1918-1922), në atë vend stërmadh ku kishte “triumfuar” Revolucioni i Tetorit, që solli në fuqi bolshevikët.
Libri “Doktor Zhivago”, që ishte shkruar si tip pamfleti nga shkrimtari rus Boris Pasternak, thuhej se ishte mbështetur, financuar dhe shpërndahej nga shërbimet sekrete të SHBA-ve (CIA), të cilat donin ti bënin të ditur botës mbarë se nga çfarë ‘djepi’ kishte dalë ajo ‘pjellë’ e regjimit stalinist, që vetë disa nga protagonistët e aktorët e tij po e demaskonin dhe po ia çirrnin maskën.
Pas Italisë, po nën kujdesin dhe patronazhin e plotë të amerikanëve (të kamufluar nën Fondacionin “Rockefeller”), ai libër që vazhdonte të çudiste botën mbarë, arriti të futej edhe në vetë Bashkimin Sovjetik. Kështu, ndërsa udhëheqja staliniste e Moskës mundohej ta fshinte apo t’i nxirrte ‘jashtë’ ato tmerre që kishin përjetuar pothuaj të gjithë popujt që jetonin në të gjitha republikat e BRSS-së, amerikanët i’a fusnin “kontrabandë” përsëri brenda.
Dhe në kuadrin e gjithë kësaj fushate ‘letraro-politike’ të sponsorizuar nga amerikanët, asokohe emri i Pasternakut dhe libri i tij kapën “majat” e botës dhe autori u propozua për çmimin ‘Nobel’, i cili i’u akordua në vitin 1958. Edhe pse nga presionet e shumta, ai refuzoi që ta merrte çmimin ‘Nobel në Letërsi’, misioni i amerikanëve tashmë ishte kryer më së miri.
Kremlinit ajo gjë iu kthye në bumerang, pasi refuzimi i Pasternakut bëri bujë më të madhe se ç’do të kishte bërë po ta pranonte atë çmim. Po kështu, pothuaj në të njëjtën periudhë kohe që amerikanët kishin filluar ‘aksionin Pasternak’, lideri komunist i Jugosllavisë, Josif Broz Tito, i kishte dalë ‘zot vetë’ një ‘aksioni’ të tillë me shkrimtaro-politikanin serbo-boshnjak Ivo Andriç.
Thuhet se nuk kishte takim zyrtar apo privat ku vetë Marshalli Tito të mos fliste dhe promovonte me miqtë dhe të ftuarit e tij “gjenialitetin” e shkrimtarit sllav që “po ndriste me veprën e tij”, botën mbarë. Vepër ku përshkruhej “bashkim-vëllazërimi”, në atë vend me gjashtë republika e shumë etni të Ballkanit. Dhe, falë mbështetjes e promovimit të Titos, edhe Ivo Andriç arriti që në vitin 1961 të kurorëzohej me çmimin ‘Nobel në Letërsi’, edhe pse “bashkim-vëllazërimi” të cilit ai ‘i këndoi’ në veprën e tij, rezultoi veçse një fasadë, po të kemi parasysh luftërat që mbytën në gjak pothuaj të gjitha republikat e saj në fillimin e viteve ’90-të!
Plot 15 vjet më vonë (në 1985-ën), një histori krejt ndryshe nga ajo e Titos me Andriçin ndodhte në Shqipëri. Ajo me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare dhe diktatorin komunist Enver Hoxha e pasuesin e tij Alia (ngjarja e ka zanafillën kur Enveri ishte ende gjallë).
Ndërsa asokohe Franca dhe personalisht presidenti Fransua Mitterand, kishin ndërmarrë “aksionin” për nderimin e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, fillimisht me ‘Legjioni i Nderit’ (dekorata më të lartë që jepte Franca) dhe më pas, për ta propozuar si kandidat për çmimin ‘Nobel në Letërsi’, vetë vendi i tij, apo më saktë, udhëheqja komuniste nuk e pranonte kurrsesi këtë gjë.
Madje jo vetëm kaq, por Tirana zyrtare u bënte të ditur francezëve se: “Në rast se Franca do ta ndërmerrte në mënyrë të njëanshme një veprim të tillë, atëherë…”.
Kjo gjë dhe mjaft makinacione të tjera tejet të rafinuara (tipike komuniste), bëhen të ditura për herë të parë nga këto dokumente zyrtare (që gjenden në arkivat e shtetit shqiptar), që publikohen për herë të parë dhe të plota në faqet e këtij libri.
Ashtu siç kemi parë edhe në disa kapituj paraardhës të këtij libri, lidhur me faktin se për vite me radhë qeveria franceze hasi në refuzimin e Tiranës zyrtare për kërkesat e saj lidhur me dekorimin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ministri frëng i Kulturës, Zhak Lang, duket se nuk është “dorëzuar” kollaj. Pasi në fillimin e majit të vitit 1990, ai ka porositur ambasadorin francez të akredituar në Tiranë, Michelle Bulmer, që t’ua kujtonte edhe njëherë autoriteteve zyrtare shqiptare, kërkesën e tij për dekorimin e shkrimtarit Ismail Kadare. Madje, duke u kërkuar atyre një përgjigje zyrtare përpara se qeveria franceze të niste procedurat përkatëse për dekorimin e Kadaresë me “Des Arts et des Lettres”. Dhe gjithashtu lidhur me atë gjë, t’i bëhej e ditur dhe t’i merrej mendimi edhe vetë shkrimtarit Ismail Kadare.
Duket se insistimi dhe “mosdorëzimi i armëve” nga ana e ministrit frëng të Kulturës që ngulte këmbë në kërkesën e tij, me shumë gjasa ka ardhur për faktin e njohur se afro një vit më parë (korrik 1989), Tirana zyrtare i dha lejen Kadaresë për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, ku shkrimtari i njohur shqiptar ishte i ftuari special i presidentit Francois Mitterenad, në mes 35 kryetarë shtetesh nga e gjithë bota. Madje, jo vetëm kaq, por falë Kadaresë, nga e gjithë Lindja komuniste, aty përfaqësoheshin vetëm Shqipëria dhe Polonia.
Nisur edhe nga ky fakt, duke se ministri Zhak Lang e ka konsideruar një formalitet, kërkesën e tij për dekorimin e shkrimtarit shqiptar, i cili në Francë ishte bërë si “i shtëpisë” me botimet e tij. Por duket se Zhak Lang ka gabuar në “llogaritë” e tij, pasi politika dhe aq më shumë ajo e një vendi komunist si Shqipëria, nuk funksiononte si në matematikë “me rregullin e treshit”.
Kjo gjë duket qartë nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri, pasi kërkesën zyrtare të qeverisë franceze, udhëheqja e lartë shqiptare me në krye Ramiz Alinë, as nuk e ka marrë fare në konsideratë. Madje, e ka lënë fare në heshtje, aq sa ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, në shkresën e vartësve të tij ku e informojnë për kërkesën e qeverisë franceze, ai ka vënë shënimin “kur është bërë ky propozim zyrtarisht”?! Dhe më pas ka shtuar që t’i bëhet një letër Foto Çamit, gjë e cila i është bërë po prej tij, por nga Komiteti Qendror nuk ka ardhur asnjë përgjigje.
Nuk dihet me saktësi përse nuk ka ardhur ndonjë përgjigje nga Foto Çami, kur asokohe nga shumëkush mendohej dhe ishte krijuar një imazh se: “shoku Foto” ishte një nga udhëheqësit që e përkrahte dhe ndihmonte Kadarenë në pengesat që i nxirrnin herë pas here atij. Mundet që kjo gjë nuk është realizuar edhe prej faktorit kohë, pasi sipas dokumenteve zyrtare (shiko faksimilen përkatëse), çështja është zvarritur deri në muajin korrik, kohë në të cilën “udhëheqja e lartë” shkonte me pushime dhe kjo gjë mund të jetë lënë për t’u diskutuar pas pushimeve në shtator.
Por, kjo gjë nuk ndodhi kurrë, pasi siç dihet tashmë, Kadare u largua nga Shqipëria në muajin gusht dhe më 24 tetor 1990, ai kërkoi azilin politik në Francë. Gjithsesi, këto mbetën për t’u parë dhe rreth tyre mund të hidhet dritë nga personazhe dhe aktorë kryesorë të atyre ngjarjeve, për t’i ndriçuar ato dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën. Ashtu si dhe pjesën më të madhe të dokumenteve në këtë libër, edhe këto publikohen të plota dhe pa asnjë shkurtim. / Memorie.al / KultPlus.com