19 Tetor, 2020 - 9:32 pm
“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj, ia përkushtoi të varfërve.
Si sot 17 vjet më parë, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani, në 4 shtator 2016.
“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, të quajtur “Misionarët e Bamirësisë”.
Nga ky moment, Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4,000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nënë Tereza, nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë, se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.
Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.
Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me te dha kete koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.
Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo. /konica/ KultPlus.com