26 Nëntor, 2022 - 8:25 pm
Murali “Kurora e Gurtë” është stolia më e re e Shkodrës, pikturuar nga Markel Capo, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Gjatë vizitës në Shkodër, Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann tha kjo murale mahnitëse është një kujtesë e fortë se ne të gjithë duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës me të cilën gratë ende përballen në Shqipëri dhe në BE.
Ajo u shpreh se dhuna me bazë gjinore është e papranueshme.
“Mund ta kapërcejmë atë vetëm duke punuar së bashku dhe duke u solidarizuar”, Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.
Ajo tha se “jemi krenarë që kemi kontribuar për këtë vepër arti, së bashku me Bashkinë e Shkodrës. Dhuna ndaj grave nuk ka vend në shoqërinë tonë”.
Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është nje traditë që nisi në vitin 1991 nga Istituti i parë i Lidershipi Global të Grave.
Ajo fillon në 25 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, dhe vazhdon deri në 10 Dhjetor që është dhe dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, duke lidhur simbolikisht këto dy ditë në përforcim të mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.
Fushata e 16 Ditëve organizohet në të gjithë botën nga aktivistë të drejtave të njeriut për të bërë thirrje për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave nëpërmjet rritjes së informacionit në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, fuqizimit të veprimtarive lokale; krijimit të lidhjeve midis përpjekjeve globale dhe atyre lokale, sigurimit të një forumi për dialog dhe shkëmbim përqasjesh, mbajtjes nën presion të qeverive për zbatimin e premtimeve të bëra bazuar në instrumentet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe demostrimit të solidaritetit të aktivistëve në vende të ndryshme të botës./atsh/ KultPlus.com