Kurt Kola, i përndjekuri i regjimit komunist që rezistoi me dekada në burgje dhe internim

29 Janar, 2025 - 1:30 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot të dënuarin politik dhe ish-kryetarin e “Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, Kurt Kola (6 maj 1937-29 janar 2022).

Kola lindi më 6 maj 1937 në fshatin Macukull të Burrelit. Për shkak se i ati, Bilal Kurti, ishte përfaqësues i lartë i partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe kishte bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, u internua së bashku me familjen. Fillimisht ata u dërguan në Peshkopi dhe më pas u zhvendosën në Berat, ku deri në prill të vitit 1949, jetuan në kazermat e djegura prej luftës.

Kur mbushi moshën 16-vjeçare, Kurt Kola u arrestua dhe u dënua në burgun e Gjirokastrës dhe ky do të ishte fillimi i një kalvari dënimesh, i cili do të përfundonte më 10 janar 1990, me rënien e regjimit komunist.

U zgjodh kryetar i Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, në mars të vitit 1993, dy vite më vonë u përzgjodh kryetar i “Lidhjes së Djathtë” dhe si kryetar i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë (1998-2002).

Kurt Kola shkroi dhe botoi disa libra me poezi dhe romane mbi jetën si i përndjekur politik dhe historinë e familjes së tij, ku mund të përmendim “Ëndrra Burgu” dhe “Në Shqipërinë burg”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme