1 Prill, 2021 - 1:28 pm
Kyeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar marsin e vitit 1999 në Kosovë i cili ishte përplot vrasje e masakra të përditshme nga forcat serbe, shkruan KultPlus.
Kurti ka kujtuar edhe përvjetorin e masakrës në Lubeniq ku 80 persona janë ekzekutuar, përfshirë këtu edhe Muhametin e vogël vetëm 18 muajsh.
Kurti gjithashtu ka kërkuar drejtësi për krimet e bëra në Kosovë dhe sipas tij 22 vite pas luftës diskutimi mbi të kaluarën s’do të duhej të ishte në pikën ku është.
Postimi i plotë i Kurtit:
Java e fundit e marsit 1999 ishte përplot me vrasje e masakra të përditshme. Avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë në Prishtinë, Kryesindikalisti Agim Hajrizi e veprimtari i shquar Latif Berisha në Mitrovicë, masakrat në Krushë të Madhe e të Vogël, në Suharekë e në Izbicë e deri tek ajo në Lubeniq së cilës ia shënojmë përvjetorin sot.
Lubeniqi paraqet gjenocidin e kryer ndaj popullsisë civile. Mbi 80 persona janë ekzekutuar në këtë vend, përfshirë këtu Muhametin e vogël vetëm 18 muajsh.
Shumë krime ndaj nesh e aspak drejtësi për neve ndonëse u bënë 22 vjet që prej atëherë.
Serbia në përgjithësi nuk i ndjek kriminelët e në veçanti disa prej përgjegjësve i afirmon lart në politikë e në shtet. Kosova dergjet nga pasiviteti special i prokurorëve të saj dhe joefikasiteti edhe më special i gjykatësve të saj. Të paktën më 29 maj 2019 e patëm amandamentuar Kodin e Procedurës Penale për të mundësuar gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve, por as kjo nuk po sjell rezultate sa duhet.
Familjet në Kosovë vuajnë, pa adresim të së vërtetës, pa zhdëmtim, restaurim dhe rehabilitim që do t’ua sjellte sistemi i duhur i drejtësisë dhe strategjia e nevojshme e adresimit të së shkuarës.
22 vite pas luftës diskutimi mbi të kaluarën s’do të duhej të ishte në pikën ku është. Megjithatë, ne do të angazhohemi e të bëjmë më të mirën që mundemi e që dijmë për të mbyllur plagët e së kaluarës. Sepse vetëm ashtu mund të shikojmë qartë dhe ecim krenar kah e ardhmja. Ndryshe jo. / KultPlus.com