26 Nëntor, 2023 - 6:34 pm
Gjatë ditës së sotme, Adem Demaçi edhe një herë tjetër u “rikthye” në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në qytetin e tij të lindjes, u zbulua shtatorja e Demaçit, ku morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Kurti tha se Demaçi ishte njeriu i popullit, me një personalitet unik.
“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur”, kështu e nis fjalën e tij, Kurti, në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Adem Demaçit, në Podujevë.
Më tej, i pari i ekzekutivitetit tha se për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase, por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë.
“Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori. Me këtë intuitë që përbashkon poetin dhe luftëtarin, vullneti i Adem Demaçit e mban lehtë një të tretën e jetës në burg”, tha kryeministri dhe shtoi se Adem Demaçi e ngre lirinë e vet mbi gjerësinë e trojeve, mbi gjeografinë e vullnetit.
“Gëzuar të gjithëve e secilit 28 Nëntori i Flamurit dhe i Pavarësisë! Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë, për përvojën më të madhe të dashurisë për liri”, tha kryeministrit në fund të fjalës së tij.
Në fund të ceremonisë u bë edhe zbulimi i shtatores së veprimtarit Adem Demaçi. /KultPlus.com