13 Tetor, 2024 - 9:00 pm
Kryeministri Albin Kurti është takuar me bashkatdhetarët në qytetin e Këln-it.
Përgjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj mërgatës për kontributin e pandërprerë për vendin tonë, njofton zyra e Kurtit.
Diskutuan për rolin e mërgatës, arritjet e përbashkëta, sfidat dhe rrugën përpara për më shumë progres, mirëqenie e prosperitet në avancimin e shtetit tonë, për vlera shoqërore dhe zhvillimin e drejtë.
“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës. Gjermania ka qenë shtëpia ku ju keni lulëzuar, duke e mbajtur gjallë frymën e atdheut dhe mbijetesën e kombit. Ndihma gjermane ka qenë vendimtare në çlirimin e Kosovës. Jo vetëm në aspektin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në atë ushtarak. Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj.” u shpreh kryeministri.
Ai përmendi disa prej sukseseve gjatë mandatit tonë qeverisës ku janë dyfishuar eksportet e më shumë se dyfishuar investimet e huaja, gjersa kemi rritur buxhetin e shtetit e ulur borxhin publik. “Po ashtu kemi investuar në fusha kyçe si mbrojtja e siguria, arsimi e shëndetësia, bujqësia e teknologjia” tha kryeministri./ KultPlus.com