22 Prill, 2021 - 1:34 pm
Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill të vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret që u quajt “Dita e Tokës”.
Ditën e Tokës e ka uruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e ka cilësuar se çdo ditë është dita e tokës.
Sipas Kurtit, kjo ditë Kosovën e gjen në një gjendje më të rënduar në krahasim me vitin e kaluar por politikisht shumë më stabile për t’u përballur me krizat, duke premtuar se Dita e Tokës nuk do të jetë dita e vetme kur ata do të flasin e veprojnë për tokën.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit:
Me 22 prill 1970 mijëra ambientalistë pushtuan rrugët e ShBA-ve. Ndotja e ajrit dhe ujit, përdorimi i pesticideve, shpyllëzimi dhe dëmtimi i ekosistemeve ishin ndër brengat kryesore që preokuponin çdo të 10-tin amerikan. Me maska në fytyrë shprehnin indinjatën e tyre dhe kërkonin masa emergjente për të adresuar fillimisht nivelin e lartë të ndotjes së ajrit dhe ujit. Ata ngritën alarmin, që përgjatë viteve mori jehonë edhe në shumë shtete të botës, se njerëzimi po ecte drejtë vetëshkatërrimit. Por, përkundër rritjes së vetëdijesimit shoqëror, presionit publik dhe avancimeve shkencore, këto çështje vit pas viti po bëheshin edhe më sfiduese.
Sot, 51 vjet pas, Dita e Tokës e gjen botën në një gjendje edhe më të tronditur. Kriza mjedisore dhe pandemia Covid-19 na kanë vendosur para një pikëpyetje të madhe. Kthimi në gjendjen që dikur e konsideronim normale nuk është më opsion. Mbajtja e maskave që atëherë ishin simbol proteste sot për ne është bërë e domosdoshme që të ruajmë veten dhe të tjerët. Pandemia ka shfaqur para nesh brishtësinë e botës tonë. Ka problematizuar veprimet tona ekonomike e shoqërore. Ka sjellë në vëmendjen tonë se përkundër dallimeve e interesave nuk kemi alternativë tjetër përpos të bëhemi bashkë, të mbrojmë e ndihmojmë njëri-tjetrin e ta trajtojmë seriozisht krizën mjedisore.
Kjo ditë Kosovën e gjen në një gjendje më të rënduar në krahasim me vitin e kaluar por politikisht shumë më stabile për t’u përballur me krizat.
Dita e Tokës për ne nuk do të jetë dita e vetme kur ne flasim e veprojmë për tokën. Për ne janë të rëndësishme vendimet e veprimet që ndërmarrim sot dhe në vijim. Veprimet tona urgjente do të jenë ndalimi i praktikave të dëmshme dhe të paligjshme. Mbrojtja e bjeshkëve që janë shkatërruar nga prerjet ilegale dhe pa plan të drunjve e nga nxjerrja e gurëve, ndalimi i degradimit të lumenjve dhe restaurimi i tyre, vendosja e kontrollit mbi gurëthyesit dhe ndalimi i betonizimit të tokës bujqësore janë në listën e prioriteteve tona.
Ta ripërtrijmë Tokën, ta ruajmë shtëpinë tonë! / KultPlus.com
Çdo ditë është dita e tokës! Me 22 prill 1970 mijëra ambientalistë pushtuan rrugët e ShBA-ve. Ndotja e ajrit dhe ujit,…
Posted by Albin Kurti on Thursday, April 22, 2021