5 Maj, 2021 - 2:02 pm
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kritikave që po i bëhen zëvendëses së tij dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, lidhur me një deklaratë të mëparshme ku ajo i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, shkruan KultPlus.
Kurti është shprehur se Gërvalla e mbron dhe afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UCK-në, madje në takimet me ndërkombëtarët ajo e shpjegon agresionin dhe krimet serb në Kosovë si pakkush tjetër.
“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel.
Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, shkruan Kurti. / KultPlus.com