30 Janar, 2022 - 11:42 pm
Në orën 09:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, do të vendosin nesër kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci.
“Sheshi i Dëshmorëve” në Podujevë do të vizitohet nga Kurti e Osmani gjatë ditës së nesërme.
“Në orën 10:10, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, vendosin kurorë lulesh dhe bëjnë homazhe te varri i heroit Zahir Pajaziti, në 25 vjetorin e rënies”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.
Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë. /KultPlus.com