17 Shkurt, 2021 - 12:08 pm
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe u.d. e presidentes Vjosa Osmani kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.
Kurti ka thënë se ky vend përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë.
“Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim. Vendi që na përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë dhe se sa të privilegjuar jemi ne që jetojmë e festojmë 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Tre breza të familjes Jashari luftuan e u sakrifikuan. Gjysma e tyre të rënë burra e gjysma tjetër gra e fëmijë. Duke u rikthyer këtu ne bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik, e drejtësinë instucionale, sepse i tillë është amaneti i dëshmorëve dhe dëshira e nevoja e qytetarëve”, ka shtuar Kurti.
Ndërsa Osmani ka shtuar se ky vend i përkujton të gjithëve edhe dëshmitë e gjenocidit serb.
“Bashkërisht e nderojmë vendin që është ikonë e lirisë. Vendin ku prehen komandanti legjendar Adem Jashari dhe gjithë familja Jashari që janë simbol i sakrificës sublime të luftës së popullit shqiptar për liri. Është vendi ku çdo ditë do t’ia përkujtojmë vetes dhe botës se këtu gjenden dëshmitë e gjenocidit serb, dëshmitë e qëllimit të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar”, ka thënë Osmani. / Koha.net / KultPlus.com