23 Qershor, 2020 - 9:42 pm
Ish-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetin social Facebook ka shkruar për Ylfete Fanajn e cila mori pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheqë këtë institucion, që njëherit është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër.
Ceremonia inauguruese u shoqërua me këngën e vjetër “Moj e Bukura More” e cila shprehë si kujtesën e mallin për atdhe ashtu edhe një histori të rëndësishme për popullin shqiptar i cili jo rrallëherë u detyrua të shpërngulet dhe kërkojë një atdhe të dytë. Suksesi i znj. Fanaj është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidhë e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen.
I dëshiroj suksese dhe punë të palodhshme. /KultPlus.com