17 Maj, 2020 - 5:16 pm
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur keqardhjen e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka krahasuar gjendjen e kulturës mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe ka thënë se arkiva e popullit duhet të mbesë e e paprekur.
“Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Facebook.
Këtu keni statusin e plotë:
“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.
Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.
Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.
I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”.