18 Dhjetor, 2023 - 8:57 pm
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka pritur në takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller.
Kurti i tregoi zyrtares së lartë gjermane se buxheti i sivjetmë për Ministrinë e Mbrojtjes është 200 milionë euro.
“Ai e njoftoi për vëmendjen që i është dhënë mbrojtjes gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetin që i është ndarë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili këtë vit ishte mbi 200 milionë euro apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor, dhe rritjen e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe mbështetjes së vazhdueshme të KFOR-it me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Shefi i qeverisë kosovare, shprehu mirënjohjen e tij dhe shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.
“Veçanërisht në sektorin e mbrojtjes duke theksuar rolin dhe rëndësinë që Bundeswehr ka luajtur për sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-i në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kontingjenti i KFOR-it gjerman vazhdon të jetë më i madhi në Kosovë”.
Gjatë takimit u diskutua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.