15 Dhjetor, 2022 - 1:18 pm
Kryeministri Albin Kurti e ka dorëzuar këtë të enjte aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Presidencën çeke të Këshillit të BE-së.
Në Pragë, Kurti është pritur nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulash Bek.
Siç ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, ceremonia e dorëzimit do të shoqërohet me një konferencë të përbashkët të kryeministrit Kurti dhe ministrit Bek.
Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar të mërkurën aplikimin për anëtarësim të Kosovës në BE.
Osmani në fjalën e saj pas ceremonisë së nënshkrimit ka thënë se Kosova si një vend i paqes dhe i respektimit të të drejtave të njeriut e meriton të jetë pjesë e BE-së.
Njëjtë ka deklaruar edhe kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se BE-ja është e plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane do të jenë pjesë e saj.
Ndërsa, kryeministri Kurti, teksa ka njoftuar se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës çeke të BE-së në Pragë, ka thënë se “pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”. / KultPlus.com