29 Maj, 2022 - 12:32 pm
Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur mbledhjen e 47-të të Këshillit të Përgjithshëm, me ç’rast ka marrë pjesë edhekryeministri Albin Kurti.
Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit, Kurti ka shtuar se tash imazhi i Kosovës ka një përmbajtje më të re si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik.
“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.
Kurti thotë se Kosova ka shënuar progres të shumtë nëpër fusha të ndryshme, duke përmendur edhe rritjen ekonomike.
“Kemi shënuar rritje ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar krimin e korrupsionin, kemi avancuar aleancat dhe kemi forcuar raportet me shtet mike. Kosova është bërë fanar i demokracisë në rajon”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Kosova veçse ka aplikuar për t’u bashkuar në Këshillin e Evropës, pas përjashtimit të Rusisë. /KultPlus.com