29 Dhjetor, 2023 - 10:30 pm
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe e artikuloi vullnetin politik të shqiptarëve në një kohë vendimtare.
Sipas tij, kjo mbledhje historike pati rol determinues në statusin politik të Kosovës dhe u bë një ngjarje referenciale edhe në periudhat e mëpastajme e deri më sot, raporton Klan Kosova.
“Mes historianësh dhe studiuesish brezash të ndryshëm, diskutuam sot për Konferencën e Bujanit, në 80-vjetorin e kësaj ngjarje aq të rëndësishme për historinë moderne të Kosovës. Bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën e kaluam drekën në Prishtinë me historianët dhe studiuesit: Liman Rushiti, Gazmend Rizaj, Bejtullah Destani, Durim Abdullahu, Mrika Limani – Myrtaj dhe Alban Dobruna. Duke e përplotësuar njëri tjetrin, folëm për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, për rrymat e ndryshme politike dhe për figurat politike të asaj kohe. Gjithashtu biseduam për gjendjen, trendet dhe perspektivat e studimeve historike të historiografisë shqiptare”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Në këso kohe, plot 80 vite më parë, më 31 dhjetor të vitit 1943 dhe gjatë dy ditëve pasuese më 1 dhe 2 janar 1944, i zhvilloi punimet Konferenca e Bujanit.
Kurti ka kujtuar se nga kjo konferencë doli një rezolutë e nënshkruar nga 49 delegatët pjesëmarrës, e në të cilën shkruhej që: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë.”
“Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe e artikuloi vullnetin politik të shqiptarëve në një kohë vendimtare. Si e tillë kjo mbledhje historike pati rol determinues në statusin politik të Kosovës dhe u bë një ngjarje referenciale edhe në periudhat e mëpastajme e deri më sot. Për studimin e historisë politike të Kosovës dhe për kultivimin e dimensionit historik të politikës!”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.