9 Gusht, 2020 - 3:44 pm
Ish-kryeministri Albin Kurti ka folur rreth probleme arsimore që për të janë baza e të gjitha dështimeve në vend, shkruan KultPlus
“Nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direkte e arsimimit të dobët. Nga keqqeverisja lart deri te mjerimi poshtë”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm. Bibliotekat publike nëpër komuna dhe ato private nëpër familje janë të varfëra. Mungon kultura dhe shprehia e leximit. Nxënësit i kalojnë mesatarisht afër shtatë orë në ditë para ekraneve të ndryshme, prej të cilave vetëm dy orë për mësim (lexim e kërkime). Shumica e nxënësve nuk arrijnë t’i kujtojnë tre librat e fundit që kanë lexuar. 2/3 e tyre e praktikojnë kopjimin e detyrave dhe referateve nga interneti. Sa më të rritur nxënësit, aq më pak lexojnë e aq më shumë kopjojnë.
Këto janë disa prej të gjeturave nga studimet që trajtojnë lexueshmërinë dhe mësimin në Kosovë. Nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direkte e arsimimit të dobët. Nga keqqeverisja lart deri te mjerimi poshtë.
Duhet ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet. Nëse duam të kemi shtet dhe përparim”, ka shkruar Kurti në Facebook.