Kurti kujton Rugovën: Intelektual i angazhuar e humanist që ka evituar konfliktet

21 Janar, 2020 - 11:53 am

Sot në përvjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, është kujtuar veprimtaria e tij intelektuale dhe politike, shkruan KultPlus.
Në vazhdën e personaliteteve që e kujtuan sot Presidentin e ndjerë është edhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lëzivjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në përvjetorin e 14 të vdekjes

Dr. Ibrahim Rugova ka qenë kritik letrar i kalimit nga strukturalizimi te post-strukturalizmi francez gjatë viteve ‘70, intelektual i angazhuar e humanist që ka evituar konfliktet, njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut, dhe, shqiptar i urtë që e don popullin e vet ashtu siç ai është.

Historiani britanik Noel Malcolm ka theksuar se Presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës. Ai është kujdesur për popullin e Kosovës, por jo vetëm. Në vijim janë katër ekstrakte nga katër intervista të tij, njëra për shtypin gjerman (1992), tjetra për atë francez (1994), e treta (1991) dhe e katërta (1992) për ato të Kosovës:

Spiegel: A ekziston shansi që Serbia të pranonte kërkesën e juaj për një shtet të pavarur të Kosovës?
Rugova: Alternativa e kësaj nuk mund të ishte synimi për Serbinë – pra një konstrukt i krizës së vazhdueshme brenda kufijve të saj. Ne do ishim të gatshëm, që të deklarohemi shtet neutral dhe që të heqim dorë tani për tani nga bashkimi me Shqipërinë. Sidoqoftë, më duhet ta pranoj se qëllimi ynë, për t’iu bashkangjitur Shqipërisë, është një synim i natyrshëm.

(Der Spiegel 24/1992
Spiegel: Besteht denn die Chance, daß Serbien Ihrer Forderung nach einem unabhängigen Staat Kosovo zustimmen könnte?
Rugova: Die Alternative dazu wäre für Serbien nicht erstrebenswert – nämlich ein permanenter Krisenherd innerhalb seiner Grenzen. Wir wären bereit, uns zum neutralen Staat zu erklären und vorerst keine Vereinigung mit Albanien einzugehen. Allerdings ist der Anschluß an Albanien, zugegebenermaßen, unser natürliches Ziel.)


Pyetje: Cilat janë propozimet tuaja për ekzistencën e shqiptarëve në një perspektivë afatmesme?
Përgjigje: Së bashku me të gjitha partitë e tjera përfaqësuese të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, ne patëm formuluar tre opsione. I pari kërkonte një Kosovë të pavarur, sigurinë për shqiptarët e Maqedonisë që të njiheshin si komb shtetformues në Maqedoni dhe vetadministrimin për shqiptarët e Malit të Zi dhe jugut të Serbisë. Ky opsion i parë bazohej te hipoteza e mosndryshimit të kufijve mes Republikave të ish Jugosllavisë. Në rast se kufijtë ndryshonin, atëherë ne kërkonim një Republikë që të përbashkonte të gjithë shqiptarët e ish Jugosllavisë. Ky ishte opsioni i dytë. Opsioni i tretë: nëse ndryshonin kufijtë ndërkombëtarë, ne kërkonim bashkimin e tyre me Shqipërinë.


“Ne zhvillojmë luftë në Kosovë që dhjetë vjet, por nëse vjen deri te konflikti i hapur, normalisht se do të dimë se si të mbrohemi. Kuptohet, Shqipëria është këtu, madje do të kërkojmë ndihmë nga të gjithë ata që përkrahin çështjen tonë. Shpresoj se nuk do të ketë luftë, por ne shqiptarët luftën dhe vdekjen i kemi gjithmonë me vete, kështu që as luftës eventuale nuk i frikohemi. Nëse vjen deri te lufta, të jetë me sa më pak viktima sepse ne edhe ashtu dhamë shumë bij e bija krejt të rinjë për çështjen tonë. Internacionalizimi i çështjes sonë u bë pikë së pari duke iu falënderuar atyre që dhanë jetën për Kosovën.” – Ibrahim Rugova «Ne do të fitojmë», përgjigje lexuesve të revistës Zëri, 7 shtator 1991, faqe 8-12.


“Në këtë situatë është normale që të ketë edhe individë e grupe më radikale në këtë lëvizje të madhe të rezistencës paqësore, por në këtë situatë është vështirë që edhe radikalët të bëjnë diçka. Dallimet që kemi – rezistencë paqësore apo rezistencë e armatosur – i shoh jo si konfrontim, ashtu siç po dëshiron Sërbia t’i paraqesë, por si shenjë e frymës demokratike e tolerante, ndonëse nën okupim.” – Ibrahim Rugova «Qëndrojmë në opcionin tonë për Kosovën e pavarur e neutrale», intervistuar nga Ruzhdi Demiri, Bujku, 6 nëntor 1992, faqe 3. /KultPlus.com

Të ngjajshme