5 Mars, 2022 - 1:04 pm
Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së, shkruan KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një fjalim të veçantë për këtë datë, ku kujtoi ngjarjet historike që kanë ndodhur ndër vite.
“Me praninë tonë sot këtu, ne nderojmë një ngjarje aq të veçantë saqë të pashembullt jo vetëm në historinë tonë, heroizimin e Prekazit dhe familjes Jashari. Heroizmin që na tregon se sa rrugë të gjatë kemi bërë për të arritur deri këtu. Dhe të atyre që mbijetuan për të treguar përjetimet.
Edhe para luftës së fundit nuk kishim paqe sepse ishim të pushtuar. Para luftës kishim dëbimet e shqiptarëve për Turiq, e aksionet e Rankoviqit për t’ua mbledhur armët shqiptarëve, kishim demonstratat e 68′ dhe 81′, kishim suprimimin e autonomisë dhe përjashtimin e shqiptarëve nga puna, kishim helmimet e fëmijëve. Ne kishim rrugët me gjak edhe para luftës, ka nisur para nesh, me të parët tonë shumë moti. Ka vazhduar më tej me neve, ku për secilin nisi në një moment të caktuar që jo domosdosmërisht është e njëjtë me tjetrin. Por një pikë e përbashkët me të gjithë ne këtu sot, është eskalimi i çdo situate tjetër që na bën të kujtojmë datën e 5 marsit, të fillimit të Epopesë së UÇK-së. Është masakra e Prekazit e cila u bë kthesë përcaktuese në trajektorin e zhvillimit të luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999 por njëkohësisht edhe në zgjimin e ndërgjegjes ndërkombëtare, e dijes diplomatike botërore.
As për familjen Jashari viti 1998 nuk ishte fillimi. Ata ishin përgatitur para shumë kohësh. Familja Jashari ishte përcaktuar për atdheun e tyre, për çlirimin e vendit, për lirinë e populli me çdo çmim, e në Epopenë e UÇK-së, ata u bënë të përjetshëm. Një familje e tërë gati u shua si rezultat i masakrës së Prekazit. E vetmja e mbijetuar që ka arritur të tregojë ngjarjen siç e ka parë me sytë e saj është Besarta, e cila ka kaluar tërë ditën e natën e vetme me familjen e saj të vdekur. Si e mbijetuara e vetme, Besarta na kujton tmerrin e dhimbjen por edhe kurajon dhe krenarinë që bart ajo dhe familja e saj, por edhe ne si shqiptar. Është e pamundur që të mos e përmend që në kohën kur ne kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës sonë dhe prej heroizmave të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Hamëz e Adem Jasharit që mbahen në burg pikërisht për këtë luftë, pikërisht për këtë narrativ që e kemi ndërtuar me gjak, e Serbia dëshiron ta ndërtojë me gënjeshtra. Lufta jonë ishte çlirimtare, lufta e agresorit gjenocidale. Vetëm të bashkuar mund t’i bëjmë nderë familjes Jashari. Së bashku do të ecim përpara, sepse pavarësisht se sa sfiduese do të jetë rruga drejt së ardhmes, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që e kaluara të përsëritet”, e përmbylli fjalimin e tij Albin Kurti. /KultPlus.com